“I keni marrë 1 milion e 500 mijë euro”/ Remi pranon fitimet milionëshe nga shteti

Komandant Rrustem Mustafa – Remi ka thënë se liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë fituar të drejtën për t’u pasuruar pas luftës së Kosovës më 1998-99.

Në një debat, Remi ka thënë se luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar për “t’u pasuruar dhe për t’u bërë mirë” pas luftës.

“Kemi luftu me u pasuru, me u ba ma mirë gjithçka. Njerëzit që kanë qenë të vujtun përpara luftës, kanë fillur me jetu mirë dhe këtu njerëzit që kanë jetu ma mirë përpara kanë fillu me u frigue”, ka thënë Remi.

Në një debat me gazetarin Vehbi Kajtazi, Remi është ballafaquar me fitimet që ai ka realizuar nga një kontratë me Telekomin e Kosovës.

I pyetur se sa ka fituar nga Telekomi, Remi ka thënë se bëhet fjalë për rreth 14 mijë euro.

“14 mijë euro i kemi marrë në muaj. S’ka pasë kurgjo aty! Ma mirë unë a ti?”, ka pyetur Remi, Kajtazin.

“Diku 1 milion e 500 mijë euro i keni marrë nga Telekomi, z. Mustafa. Logjika që e keni ndjekë ju: ‘jo unë më mirë sesa ju’. Kjo është logjika që e keni ndjekë”, ka thënë Kajtazi.