Pas konfliktit të armatosur në Banjskë vitin e kaluar, autoritetet e Kosovës ia kanë sekuestruar gjithë pasurinë Milan Radoiçiqit, i cili është i dyshuar për organizimin e sulmit terrorist në veri. Dhjetë muaj më vonë kishte dalë vlerësimi i paluajtshmërisë së sekuestruar, që tregon se prona e Radoiçiqit në veri të Kosovës peshon mbi 3.4 milionë euro. Megjithatë, këto nuk janë të vetmet prona që ai zotëron. Në Beograd prej muajsh ai ndërton një vilë luksoze në pjesën më elitare të qytetit dhe dyshohet se lista nuk mbaron me kaq. Shtrohet pyetja, prej nga gjithë ato para për krejt këto dhe si u fituan, kur ai ishte i papunë dhe pa “çati mbi kokë” 14 vite më parë?
Policia e Kosovës në shtator të vitit të kaluar i ka konfiskuar vilën Radoiçiqit në Ujman, penthouse dhe restorantin “Grey” në rrugën në Mitrovicë, si dhe një banesë dhe një zyrë.
Gjithashtu, janë sekuestruar edhe shumë automjete.
Siç shkruan Nova.rs. dy Mercedes AMG G63 Jeep, pa targa, një Mitsubishi Pajero Sport pa targa dhe 18 automjete të tjera të rregullta Mitsubishi Pajero, shumica e të cilave janë pa targa, dy automjete të blinduara blu të modifikuara pa targa, dy Toyota Hilux, njëra prej të cilave me targa, dhe tjetra sosh pa targa, Opel Vectra gjithashtu me targa, Dacia Duster pa targa, Jeep Grand Cherokee pa targa.
Gjithashtu u sekuestruan dy Quad ngjyrë jeshile të errët pa targa, si dhe një ekskavator me ngjyrë të verdhë pa targa.
Sa kushtojnë pronat e Radoiçiqit në veri të Kosovës?
Sipas vlerësimit të Agjencisë për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara në Kosovë, të gjitha pronat e listuara kapin vlerën e përgjithshme prej 3,430,748.50 euro.
Pasuria e paluajtshme më e vlefshme është një vilë në Ujman, vlera e të cilës llogaritet në rreth dy milionë. Penthouse vlerësohet 644.400 euro, restoranti 400.000 euro, zyra 82.065 euro, banesa 69.220 euro.
Veturat e sekuestruara kapin vlerën e 327 570 euro.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, kostoja mujore e menaxhimit të aseteve për sigurime është 420 euro.
Megjithatë, ajo nuk është e vetmja pronë në pronësi të Radoiçiqit. Siç ka zbuluar më herët portali Nova.rs, ai ka blerë një truall në Dedinje.
Siç shihet në kadastrën e patundshmërive, parcela ndodhet në rrugën “Knjaz Aleksandar Karagjorgjeviq” dhe ka një sipërfaqe prej 3,877 metra katrorë.
Të gjitha këto të dhëna hapën dy pikëpyetje, së pari, nga e ka pasur Milan Radoiçiq kaq shumë pasuri dhe së dyti, si ka mundësi që një njeri i kërkuar nga INTERPOL-i, ekstradimin e të cilit e kërkojnë të gjithë zyrtarët europianë dhe botërorë, të ndërtojë vila luksoze nëpër Beograd pa asnjë pengesë.
Nga “një i pastrehë” në milioner ndonëse dihet se Radoiçiq është në Beograd, ai mbetet i paprekshëm për të gjitha organet e drejtësisë që po e kërkojnë.
Mirëpo, ai dikur nuk ishte i paprekshëm për autoritetet hetimore siç është tani, ndaj falë tyre zbuluam se është i papunë dhe nuk ka pasuri të paluajtshme.
“I pandehuri Radoiçiq Milan nga Mitrovica i lindur në vitin 1978… i papunë, nuk posedon pasuri të paluajtshme”, shkruhet në aktgjykimin me të cilin i personi që mbrohet sot nga Beogradi zyrtar në vitin 2010 është dënuar për falsifikim të letërnjoftimit. Nga të gjitha gjërat për të cilat ai është dyshuar dhe akuzuar, siç thuhet nga rrjeti hetimor BIRN, nga dosja e Milan Radoiçiqit rezulton se ai është shpallur fajtor vetëm në këtë procedurë gjyqësore.
Në bazë të këtij aktgjykimi gjyqësor mund të konstatohet se Radoiçiq për 14 vjet u pasurua shumë. Si?
Zyrtarisht nuk dihet, por ajo që dihet është se së bashku me Zvonko Veselinoviqin është pronar i së paku katër kompanive në Serbi, disa prej të cilave janë të përfshira në projektet më të mëdha shtetërore.
Kompania e tyre “ombrellë” është “Inkop” nga Çupria, përmes së cilës ata hynë në botën e biznesit legal. Ata u bënë zyrtarisht bashkëpronarë të saj në vjeshtën e vitit 2018 dhe deri atëherë dyshohej se e kontrollonin.
Siç kanë raportuar mediat, më parë “Inkopin” e ka udhëhequr Dushica Maksimoviq, motra e Zharko dhe Zvonko Veselinoviqit. Sipas të dhënave nga Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve, Zharko Veselinoviq tani zotëron 20 për qind të aksioneve në kompani, ndërsa 80 për qind ndahet në mënyrë të barabartë nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq.
“Inkop” ka qenë i përfshirë në projekte të mëdha shtetërore në disa raste, më së shpeshti si nënkontraktor. Në atë rol u gjend në ndërtimin e korridorit 11 dhe në atë korridor ishte përfshirë edhe kompania “Granit Peshqar”, bashkëpronarë të së cilës më parë ishin Veselinoviqi dhe Radoiçiq.
Radojçiq dhe Veselinoviq kanë blerë “Novi Pazar put” tre vjet më parë përmes “Inkop-it”. Siç ka shkruar Nova.rs, që atëherë, mesatarisht kanë fituar të paktën një punë në muaj dhe pothuajse në të gjitha rastet ajo ka qenë e vetmja ofertuese. Kjo kompani është angazhuar në disa raste nga qyteti i Novi Pazarit, pastaj Tutini dhe Rashka, por edhe nga Termocentrali i Beogradit, Ministria e Ekonomisë dhe Drejtoria Republikane për Pronë.
Para urdhër arrestit të INTERPOL-it, Radoiçiq ishte gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së.
Dyshja e lartpërmendur dhe disa prej kompanive të tyre u vendosën fillimisht nën sanksionet e SHBA-së, me shpjegimin se i përkasin rrjeteve të korruptuara të lidhura me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Më pas Britania e Madhe vendosi sanksione kundër Veselinoviqit dhe Radoiçiqit. Britanikët pretenduan se Radoiçiq përfitoi nga abuzimi me kontratat shtetërore dhe se ai përdori ndikimin e tij për t’i dhënë kontrata fitimprurëse kompanive të ndërtimit në pronësi të tij.
Në arsyetim thuhej se Zvonko Veselinoviq përdorte kontrata publike për të përvetësuar fondet shtetërore.
Angazhimi politik në Kosovë
Radoiçiq ka trashëguar lidhjen e tij me strukturat qeveritare në Serbi edhe përmes angazhimit të tij politik në Kosovë.
Ai u bë nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit, disa muaj pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit në vitin 2018.
Mandati iu vazhdua në korrik të vitit 2021, kurse dha dorëheqjen nga ajo detyrë në vitin 2023 pas organizimit të sulmit terrorist në Banjskë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë hapur në mbrojtje të Milan Radoiçiqit, duke thënë se ai është një nga ata “që mbron Serbinë në Kosovë”.
Presidenti serb e mbron hapur Radoiçiqin, sepse përkundër apeleve të shumë zyrtarëve që të ndiqet penalisht për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, ai jeton dhe lëviz në Beograd i patrazuar dhe sipas të gjitha indikacioneve, së shpejti do të jetojë në lagjen më elitare të kryeqytetit.