Bashkim Ibishi nga organizata joqeveritare “Advancing Together” ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të mërkurën, se diskriminimi ndaj komunitetit romë, ashkalinj eegjiptianë ka ekzistuar edhe para luftës dhe vazhdon të ekzistojë edhe tash në Kosovë.
Ibishi ka thënë se fëmijët e këtij komuniteti bullizohen vazhdimisht, derisa ka shtuar se edhe prindërit shqiptarë refuzojnë t’i lënë fëmijët e tyre të vijojnë mësimin në një klasë me nxënësit që nuk janë shqiptarë.
“Shkolla ‘Xhemajl Kada’ në Pejë, e ka pasur një fenomen të tillë, mirëpo në dialog e sipër kemi arritur ta eliminojmë një paralele e cila ka qenë e dominuar me nxënës romë, ashkalinj e egjiptianë. Periudha se kur regjistrohen fëmijët në klasën e parë në gjithë Kosovën fillon më 15 maj. Ky rast kishte të bënte me faktin që prindërit rom, ashkali dhe egjiptian i kishin regjistruar fëmijët me vonesë, ashtu që paralelet tjera kanë qenë të populluara. Po ashtu prindërit shqiptarë kanë refuzuar t’i lënë fëmijët e tyre në atë paralele dhe bënin presion që t’i dërgonin fëmijët në klasa tjera”, ka thënë Ibishi.
Sipas tij, fëmijët e komunitetit romë, ashkalinj, e egjiptianë diskriminohen qysh me vendosjen e tyre nëpër banka të shkollës.
“Bullizmi ka ekzistuar edhe në atë kohë dhe ekziston edhe sot. Fëmijët e ngjyrë kanë qenë prezent në bankat e fundit në klasa dhe kjo vazhdon edhe sot”, është shprehur Ibishi.
Ai ka shtuar se në Kosovë ekziston edhe diskriminimi i padukshëm ndaj këtij komuniteti, të cilin e ka quajtur diskriminim institucional.