Sot është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimi të Spitalit të Fëmijëve “Sheikha Fatima” në Prishtinë, donacion ky i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në ceremoni morën pjesë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Të pranishëm janë parë edhe ish-presidentët Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli, si dhe zyrtarë të Emirateve.
Presidentja Osmani ka thënë se sot është vulosur miqësia me Emiratet e Bashkuara, duke i falënderuar për njohjen ndaj Kosovës dhe donacionin.
“Të vegjlit tanë dhe prindërit mund të flenë rehat sëpse ky spital është modern e me teknologjinë e fundit. Tashmë fëmijët tanë do të kurohen në vendin tonë e jo në vendet e rajonit. Do të punojmë që ky spital të jetë sinonim i humanizmit, ku të gjithë do të ndihen të mirëseardhur. E ardhmja jonë do të jetë më e mirë kur ne të punojmë fort, e ardhmja jonë do të jetë më e sigurt”, ka thënë Osmani.
Ajo theksoi se bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe do të jetë vetëm fillimi, sepse sipas tij, gjithmonë do të ketë hapësirë shtesë për bashkëpunim.
“Uroj qe ky spital të jetë investimi i parë nga të shumtit që do t’i sjellë e ardhmja. Edhe njëherë faleminderit për kontribut, sidomos Atifete Jahjaga, si dhe të gjithë atyre që kontribuuan”, shtoi ajo.
Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti tha se fëmijët janë e ardhmja e demokracisë, prandaj duhet punuar fort për ta.
“Me programin e Qeverisë ne jemi zotuar që do të kujdesemi për fëmijët. Ky projekt humanitar përveç përmirësimit të jetës së fëmijëve, është dëshmi për miqësinë e dy vendeve tona. Falënderoj presidenten Jahjaga për angazhimin e saj, dhe të gjitha ekipet qe kontribuuan për këtë spital. Pas nënës sime e para mësueses sime, janë dy mjekë qe ju kam borxh jetën. Ata tashmë janë të ndjerë, por s’kam dyshim se do të ishin gëzuar shumë për këtë spital”, shtoi Kurti.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ky spital do t’u dal në ndihmë shumë fëmijëve, duke shtuar se nuk janë të pakta rastet kur familjarët detyrohen t’i dërgojnë fëmijët për shërim jashtë vendit.
“Ky spital do të ndihmojë që ata të trajtohen këtu. Ky është një kontribut i disa gjeneratave, në një spital me teknologjinë e fundit. Në këtë kohë të vështirë kur jemi duke u përballur me pandeminë, ky spital do të ketë impakt të madh në parandalimin e vdekjeve të fëmijëve. Bëj thirrje që të vaksinohen të gjithë sidomos fëmijët prej 12-15 vjeç e po ashtu gratë shtatzëna”, tha Vitia.