Inteligjenca amerikane ka ndihmuar ukrainasit për vrasjen e gjeneralëve rusë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë informacion për njësitë ruse, që i kanë lejuar ukrainasit të synojnë dhe vrasin shumë prej gjeneralëve rusë.

Kjo sipas deklaratave të zyrtarëve të lartë amerikanë, në kushte anonimiteti për prestigjiozen “Neë York Times”.

Ushtria ukrainase tha se ka vrarë rreth 12 gjeneralë në vijën e frontit, një numër që ka habitur analistët ushtarakë.

Ndihma për shënjestrimin është pjesë e një përpjekjeje të klasifikuar nga administrata Biden për të ofruar “inteligjencë” në kohë reale në fushën e betejës në Ukrainë.

Kjo ndihmë përfshin gjithashtu lëvizjet e parashikuara të trupave ruse të mbledhura nga vlerësimet e fundit amerikane të planit të betejës sekrete të Moskës për luftimet në rajonin Donbas të Ukrainës lindore.

Zyrtarët amerikanë nuk pranuan të specifikonin se sa gjeneralë ishin vrarë si rezultat i ndihmës së SHBA-ve.

Shtetet e Bashkuara janë fokusuar në ofrimin e vendndodhjes dhe detajeve të tjera në lidhje me shtabin e lëvizshëm të ushtrisë ruse, të cilat zhvendosen shpesh.

Zyrtarët ukrainas e kanë kombinuar atë informacion gjeografik me inteligjencën e tyre – duke përfshirë komunikimet  që paralajmërojnë ushtrinë ukrainase për praninë e oficerëve të lartë rusë – për të kryer sulme artilerie dhe sulme të tjera që kanë vrarë oficerë rusë.

Shkëmbimi i inteligjencës është pjesë e një fluksi të shtuar të ndihmës së SHBA-ve që përfshin armë më të rënda dhe dhjetëra miliarda ndihma.

Mbështetja e inteligjencës amerikane për ukrainasit ka pasur një efekt vendimtar në fushën e betejës, duke konfirmuar objektivat e identifikuar nga ushtria ukrainase dhe duke e drejtuar atë drejt objektivave të rinj.

Rrjedha e inteligjencës vepruese mbi lëvizjen e trupave ruse që Amerika i ka dhënë Ukrainës ka pak precedentë.

 

Që nga dështimi për të avancuar në Kiev, kryeqyteti, në pjesën e hershme të luftës, Rusia është përpjekur të rigrupohet, me një shtytje më të përqendruar në Ukrainën lindore që deri më tani ka ecur ngadalë dhe në mënyrë të pabarabartë.

Administrata ka kërkuar të mbajë të fshehtë pjesën më të madhe të inteligjencës në fushën e betejës, nga frika se do të shihet si një përshkallëzim dhe do të provokojë, presidentin rus, Vladimir Putin.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd J. Austin III shkoi aq larg sa tha muajin e kaluar se “ne duam ta shohim Rusinë të dobësuar në atë masë që nuk mund të bëjë ato lloje të gjërave që ka bërë në pushtimin e Ukrainës”, përcjell Albanian Post

I pyetur në lidhje me inteligjencën që u jepet ukrainasve, John F. Kirby, zëdhënësi i Pentagonit, tha se “ne nuk do të flasim për detajet e atij informacioni”.

Por ai pranoi se Shtetet e Bashkuara i ofrojnë “Ukrainës informacion dhe inteligjencë që mund t’i përdorin për të mbrojtur veten”.

Por jo të gjitha sulmet janë kryer me inteligjencën amerikane.

Një goditje gjatë fundjavës në një vendndodhje në Ukrainën lindore ku kishte vizituar gjenerali Valery Gerasimov, oficeri më i lartë me uniformë i Rusisë, nuk u ndihmua nga inteligjenca amerikane, sipas zyrtarëve të shumtë amerikanë.

Shtetet e Bashkuara ia ndalojnë vetes ofrimin e inteligjencës për liderët më të lartë rusë.

Por inteligjenca amerikane ishte kritike në vdekjen e gjeneralëve të tjerë.

Shtetet e Bashkuara japin në mënyrë rutinore informacione rreth lëvizjes së trupave dhe pajisjeve ruse dhe ndihmojnë Ukrainën të konfirmojë vendndodhjen e objektivave kritike. Aleatët e tjerë të NATO-s gjithashtu japin inteligjencë në kohë reale për ushtrinë ukrainase.

Marrë nga New York Times, përshtatur për Albaanian Post