Rusia do ta ketë të vështirë që të vazhdojë fushatën ushtarake, dhe Ukraina mund të aktivizohet në kundërsulm, ka thënë shefi britanik i inteligjencës, Richard Moore.
Moore ka thënë se Rusia është përballur me “humbje epike” në synimet e saj fillestare të luftës në Ukrainë, siç janë: rrëzimi i presidentit, kontrollimi i Kievit dhe prishja e unitetit brenda Perëndimit.
Ai ka folur në Forumin e Aspenit, në një paraqitje të rrallë publike.
Moore e ka quajtur pushtimin si “aktin më të zhveshur të agresionit në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore”.
Ai ka thënë se fitoret që ka shënuar së fundi Rusia janë “të vogla” dhe se ky shtet rrezikon të humbë energjinë.
“Vlerësimi ynë është se rusët do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë fuqi punëtore dhe materiale gjatë javëve të ardhshme”, ka thënë Moore përgjatë konferencës në Kolorado.
“Atyre do t’iu duhet të bëjnë pushime dhe kjo u jep mundësinë ukrainasve që të nisin kundërsulm”.
Shefi britanik i inteligjencës ka thënë se një lloj fitoreje në fushëbetejë, do të përbënte “mesazh të rëndësishëm për gjithë Evropën se kjo është fushatë që mund të fitohet”, sidomos para dimrit, kur pritet të rritet presioni për furnizime me gaz.
“Jemi në kohë të vështirë”, ka thënë ai.
Sipas tij, një arsye tjetër pse duhet vazhduar përkrahjen ndaj ukrainasve është sepse udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping “është duke vëzhguar si skifter”.
“Nuk ka të dhëna se presidenti rus, Vladimir Putin është i sëmurë”, është përgjigjur ai, kur është pyetur për shëndetin e liderit rus, duke qenë në linjë me qëndrimet e homologut të tij amerikan, shefit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) William Burns.
Moore ka thënë se 400 zyrtarë rusë të inteligjencës, që kanë qenë duke vepruar fshehurazi, janë dëbuar nga Evropa, duke zvogëluar përgjysmë mundësinë e Rusisë për të spiunuar në kontinent.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./Rel