Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së komandantëve serbë të Policisë së Kosovës në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Nacionale të Serbisë, që të martën u mbajt në Beograd.
Mbledhja ishte thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi u konfirmua se zgjedhjet e Serbisë nuk do të mbahen në Kosovë, me vendim të Qeverisë Kurti.
“IPK-ja është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe se në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me Presidentin e Serbisë”, ka thënë zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, të enjten mbrëma për KOHËN.
Po për shkak të pjesëmarrjes në këtë mbledhje në Serbi, sot u suspendua kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.
Kjo nxiti reagime të mëdha në Beograd, sa që Vuçiqi tha se “Kurti po përgatitet të sulmojë Serbinë”.
Ai tha se “të premten me mëngjes do të suspendohen të gjithë komandantët serrbë të Policisë së Kosovës që morën pjesë në mbledhjen në Beograd”. Tha se kjo po bëhet më urdhër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Por Kurti, i ftuar në emisionin Desku në KTV, e mohoi këtë.
“Ndoshta Vuçiqi emëron e ndërron gjyqtarë në Serbi, por ne nuk e kemi këtë kompetencë. Jemi demokraci. Suspendimi i gjyqtares është vendim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, tha ai në KTV.