Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se LDK-ja ka hequr dorë nga reciprociteti, sepse një gjë të tillë në mënyrë eksplicite e kërkuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mustafa tutje tha se bllokimi i mjeteve të korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit për LDK-në ishte një sinjal i qartë që Kosova po i prishte raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai tha se SHBA ka kërkuar që taksa ndaj Serbisë të hiqet pa kushte dhe pa vendosjen e reciprocitetit, gjë që edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti e di këtë.
“SHBA kërkoi që tarifa të hiqet pa kushte. ‘Pa kushte’ nënkupton pa reciprocitet, që pastaj SHBA-ve dhe BE-së ju lihet një hapësirë e mjaftueshme që të merret me të gjitha pengesat tregtare politike dhe ekonomike që i bën Serbia”, tha Mustafa në Rubikon.
“Për neve ka qenë një sinjal mjaft i rëndësishëm bllokimi i mjeteve të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit që janë rreth 200 milionë dollarë, pa marrë parasysh që kryeministri po thotë që nuk i ka parë ato para akoma”, tha Osmani.
“Kjo ka qenë arsyeja themelore pse ne nuk kemi gjetur gjuhë të përbashkët, sepse Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht kryeministri, nuk dëshironte që ta heqë tarifën ashtu siç kërkonte SHBA-ja. Si pasojë e kësaj pasuan masat e SHBA-së, një herë me bllokimin e Fondeve të MCC-së, pastaj me paralajmërimin e senatorëve amerikanë dhe niveleve të larta amerikane se mund të ketë edhe masa të tjera – përfshirë edhe tërheqjen e trupave amerikane”, tha Mustafa.
“Unë bisedova në disa raste edhe me Kurtin dhe i kërkova që ne të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që të mos përkeqësojmë relacionet me SHBA-të, sepse është aleati jonë kryesor i cili na ka ndihmuar dhe na ka përkrahur në të gjitha fazat – edhe të Pavarësisë dhe të ndërtimit demokratik. Për fat të keq, nuk gjetëm gjuhë të përbashkët. Situata eksaloi edhe me shkarkimin e Veliut”, tha Mustafa.
“Është e vërtetë që reciprociteti ka qenë pjesë e marrëveshjes tonë qeverisëse dhe po ashtu edhe pjesë e programit tonë qeverisës – zëvendësimi i tarifës me reciprocitetin. Por, meqenëse ka pasur kërkesë eksplicite të SHBA-ve, ne jemi pajtuar me të jo që ta flakim tëësisht dhe përgjithmonë reciprocitetin, por që ta vëmë në marrëveshje me SHBA-të dhe me Bashkimin Europian – nëse Serbia nuk do të reflektonte në prurjet e saj edhe politike edhe tregtare edhe ekonomike”, tha Mustafa.