Ish-diplomati britanik në Bosnje e Hercegovinë Timothy Less, ka thënë se Kosova nuk mund të nisë procedurat ligjore në një gjykatë ndërkombëtare, për paditjen e Serbisë lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kosova nuk mund ta ndërmerr një hap të tillë pa njohje.
“Unë nuk jam ekspert ligjor, por njohuria ime është që Kosova nuk mund të nisë procedurat ligjore në një gjykatë ndërkombëtare siç është GJND pa njohje. Si çështje politike, Kosova nuk ka gjasa të gjejë ndonjë vend tjetër, e cila do ta bënte këtë në emër të saj”, është shprehur Less.
Megjithatë, sipas tij, Serbinë për gjenocidin në Kosovë, mund ta padis Tirana zyrtare. Por, siç ka thënë ish-diplomati, Shqipëria nuk do të donte të rrezikonte marrëdhëniet e saj me Serbinë, BE-në dhe SHBA-në.
“Shqipëria është i vetmi vend që ndoshta mund ta bëjë, por Tirana nuk do të donte të rrezikonte marrëdhëniet e saj me Serbinë, të cilën e sheh si një partner rajonal. As nuk do të rrezikonte marrëdhëniet e saj me BE dhe SHBA, që kundërshtojnë një lëvizje që zvogëlon mundësinë e zgjidhjes së statusit të Kosovës”, ka thënë për “Bota sot” udhëheqësi i projektit “Studimet e Shpërbërjes” të Qendrës për Gjeopolitikë dhe Strategji në Universitetin e Cambridge.
Se Shqipëria mund ta padis Serbinë në emër të Kosovës, e ka deklaruar së fundmi edhe ministrja e Drejtësisë në Kosovë Albulena Haxhiu.
Ajo ka thënë se padia për gjenocid do të jetë padyshim një ndër dokumentet kryesore të qeverisë.
Kryeministri Albin Kurti është zotuar për padinë ndaj Serbisë. Ai ka premtuar që këtë do ta bëjë gjatë mandatit të tij qeverisës.
“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë sonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilin dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, ka deklaruar kryeministri Kurti.