Glauk Konjufca është një prej figurave kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje. Gjatë kohës sa negocionin me LDK’në për koalicion, Konjufca jo rrallë herë ka ndarë detaje nga negociatat me Isa Mustafën, duke i rrëfyer ato në një mënyrë epike.
Pas arritjes së koalicionit, Konjufca ishte detyruar që t’ia lëshojë Vjosa Osmanit, pozitën e kryetares së Kuvendit, derisa Kurti ia kishte besuar pozitën e Ministrit të Punëve të Jashtme.
Në këtë pozitë, Konjufca nuk ka qëndruar më shumë se 52 ditë, pasi që bashkëjetesa në qeveri me LDK’në ishte e pamundur.
Tashmë Kosova gjendet në rrethana komplet të reja politike, me Avdullah Hotin në krye të qeverisë dhe Lëvizjen Vetëvendosje në opozitë.
Konjufca bashkë me Kurtin e Albulena Haxhiun kanë humbur edhe ulësen e tyre në Kuvend, dhe aktualisht kanë mbetur vetëm ish-zyrtarë shtetërorë dhe zyrtarë të lartë në parti.
Sot ish-kryediplomati Konjufca me disa bashkëpartiakë të tij ka vizituar Podujevën bashkë me Mefail Bajqinovcin, Shpejtim Bulliqin e Taulant Kryeziun. Ky i fundit ka publikuar fotografinë teksa shihen në një çajtore në Podujevë bashkë me disa qytetarë.
Podujeva aktualisht është pa kryetar Komune, ndërkohë pritet që të organizohen zgjedhjet lokale që në rast të normalizimit të situatës pandemike. Shpejtim Bulliqi është kandidat i VV’së për kryetar të Podujevës.