Asnjë vend musliman në botë, përveç Turqisë, nuk po ndihmon Ukrainën dhe muslimanët ukrainas në luftën kundër pushtimit rus, por pranon propagandën e Rusisë, e cila ka përhapur informacione të rreme për islamistët në Ukrainë për vite me rradhë, thotë Said Ismagilov, ish-Myftiu ukrainas.
I angazhuar në luftë që në fillim të agresionit rus, ai tha se bota islame pranon propagandën ruse në të cilën luftëtarët çeçenë të udhëhequr nga Ramzan Kadyrov janë ndër aktorët kryesorë të agresionit.
“Nuk është Ukraina ajo që shkatërron dhe rrëmben xhamitë në Rusi, por, përkundrazi, pushtuesit rusë rrëmbejnë dhe shkatërrojnë atë që muslimanët e Ukrainës kanë ndërtuar në 30 vjet pavarësi.
Umeti ynë mysliman ka nevojë për mbështetjen e muslimanëve të ndershëm dhe të drejtë, ne kemi nevojë për ndihmë humanitare, shumë prej nesh kanë humbur shtëpitë, xhamitë, vendet e punës dhe mjetet e jetesës”, thotë Ismagilov.
Ai gjithashtu iu referua faktit se mediat dhe rrjetet sociale shpesh janë të mbushura me regjistrime të lutjeve muslimane dhe ritualeve të ushtarëve çeçenë, të udhëhequr nga Ramzan Kadyrov, të cilët po luftojnë në anën e Rusisë.
“Ne i quajmë të gjithë ata ushtarë çeçenë të Kadyrov-it si ‘luftëtarë Tik-Tok’. Ata nuk marrin pjesë në beteja aktuale, por regjistrojnë vetëm përmbajtje propagandistike – ata regjistrojnë video që tregojnë qartë se nuk janë operacione të vërteta ushtarake, por të shtëna të inskenuara si në një film. Ata ose sulmojnë ndërtesa të zbrazëta ose qëllojnë në shkurre, dhe një kameraman vrapon përpara tyre, duke regjistruar gjithçka. Kjo shkakton të qeshura te ne”, thotë Ismagilov.
“E gjithë kjo përmbajtje në mënyrë eksplicite muslimane është krijuar për audiencën e vendeve arabo-muslimane, si propagandë ruse. Natyrisht, është një fenomen i turpshëm kur muslimanët fshihen pas Islamit për të bërë një luftë pushtuese”.
I pyetur nëse e di se sa myslimanë ukrainas kanë marrë armët për të mbrojtur atdheun e tyre nga pushtimi rus, ish-myftiu përgjigjet:
“Ne nuk kemi të dhëna të sakta për numrin e muslimanëve në radhët e Forcave të Armatosura të Ukrainës sepse shteti nuk mban statistika për përkatësinë fetare të ushtarëve. Është e sigurt të thuhet se disa mijëra burra dhe gra të besimit musliman po mbrojnë tani Ukrainën në ZSU, Gardën Kombëtare, Shërbimin Kufitar dhe agjenci të tjera të zbatimit të ligjit të Ukrainës.”