Ish polici i Rexhep Selimit: Po e djegi dokumentin vetëm pse aty ndodhet emri yt, turp për ty

Një ish ushtar i Brigadës 111 “Adem Jashari” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish polic i Rexhep Selimit sa ishte ministër i Rendit në Qeverinë e Përkohshme menjëherë pas luftës, ka dalë fuqishëm kundër ish eprorit të tij.

Bëhet fjalë për Hamdi Thaçin, shkruan Ballkani.info.

“Një Ushtar i Brigades 111 “Adem Jashari”. Një polic i joti i rendit publik në qeverinë e përkohshme e ruajta këtë dokument me fanatizëm të madh që 21 vjet, por kurrë nuk e besova qe Rexhep Selimi do t’i mbroj tradhtarët dhe kolaboracionistet si Shkëlzen Gashi. Nga ky moment Rexhë po e djegë këtë dokument vetem se aty ndodhet emri yt. Turp Rexhep Selimi”, ka shkruar i mllefosur Thaçi.

Rexhep Selimi, shef i Grupit Parlamentar të VV-së, nuk u distancua plotësisht nga deklaratat e Shkëlzen Gashit, tashmë ish këshilltar i Albin Kurtit.

Gashi kishte thënë se UÇK-ja ka kryer krime ndaj civilëve serbë. Kjo deklaratë pati bërë që të ketë reagime të ashpra, duke e detyruar Kurtin që ta largojë Gashin nga kabineti i tij.