Istrefi: Të gjitha partitë politike kanë të punësuar në Telekom

Kryeshefi ekzekutiv i shkarkuar i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, tha se prej qershorit ka marrë vendim për të mos punësuar njerëz në këtë ndërmarrje, kësisoj, ai ka shtuar se e ka pasur vetëm një shofer të punësuar, të cilin, sipas tij, ia lejon edhe ligji.

“Në menaxhimin tim është shkëputur marrëveshja edhe me Z-Mobile. I njëjti bord ka bërë padi për humbjet që ia ka shkaktuar Telekomit”, u shpreh ai, duke shtuar, se bordi i ri, në të kundërtën, po bën punësime militante.

Istrefi tha se “të gjitha partitë politike në Kosovë kanë të punësuar në Telekom”.

“Asnjë parti s’ka të drejtë të flasë për Telekomin sepse të gjithë, pa përjashtim, kanë të punësuar në këtë ndërmarrje”, u shpreh ai.

Istrefi, tha se në Telekomin e Kosovës nuk e ka të punësuar asnjë familjarë, në mandatin e tij.

“Në 2009 është punësuar një djalë i axhës. Në 2017-2018, është punësuar vëllai i gruas, para se të jem unë kryeshef”, tha Istrefi, duke shtuar se s’ka pasur asnjë ndikim në punësimin e tyre.