“Izraeli humbet shumë nga një luftë midis Rusisë dhe Ukrainës”

Në takimin e tij me Vladimir Putin në Soçi tetorin e 2021-shit, Naftali Bennett propozoi mbajtjen e një samiti midis presidentit rus dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Sipas një raporti, kryeministri izraelit e kishte parashtruar këtë me dijeninë e Zelenskyy-t, por Putini e refuzoi atë. Disa muaj më parë, paraardhësi i Bennett, Benjamin Netanyahu, i bëri po ashtu një ofertë të ngjashme Putinit, të cilën gjithashtu e refuzoi.

Anshel Pfeffer, gazetar dhe analist i medias prestigjioze “Haaretz”, në analizën e tij me titull “Izraeli ka shumë për të humbur nga një luftë midis Rusisë dhe Ukrainës”, shkruan se një samit Rusi-Ukrainë në Jerusalem ka kuptim në një sërë nivelesh.

Izraeli, argumenton fillimisht Pfeffer, është një nga vendet e pakta që ka lidhje të ngushta diplomatike me Kievin dhe Moskën.

Po ashtu është dhe një shesh lojërash i përshtatshëm për klasat e oligarkëve të të dy vendeve dhe, në kohë tensioni, gjithashtu një strehë dhe një vend-takim.

Gjatë shpërthimit të mëparshëm mes dy palëve në vitin 2014, sallat e pritjes së hoteleve luksoze në Tel Aviv po mbusheshin me ajkën e elitave të biznesit rus dhe ukrainas, duke u strehuar derisa të qetësohej situata.

Izraeli është gjithashtu një nga vendet e pakta në botë ku, për shkak të marrëveshjeve diskrete, ata, që kanë frikë për jetën e tyre nga dora e gjatë e agjencive të inteligjencës ruse, janë të garantuar se nuk do të dëmtohen.

Rivalët e hidhur të njëri-tjetrit, si oligarku i preferuar i Putin-it, Roman Abramovich, dhe miliarderi nacionalist ukrainas, Ihor Kolomoyskyy, zotërojnë vila luksoze në Izrael.

Analisti shkruan se, përveç kësaj, Putin dhe Zelenskyy do të ndiheshin si në shtëpinë e tyre në Izrael.

Kjo, falë qindra mijëra bashkëkombësve të tyre rusë dhe ukrainas që kanë emigruar në Izrael përgjatë tridekadave të fundit.

Ka dhe një arsye tjetër pse udhëheqësit e Izraelit do të ishin të etur të bënin gjithçka që munden për të ulur tensionet që mund të çonin në një luftë Rusi-Ukrainë. Thjesht, Izraeli ka shumë për të humbur nëse kjo ndodh.

Ndërsa aleati kryesor strategjik i Izraelit për 50 vitet e fundit kanë qenë Shtetet e Bashkuara – dhe kjo do të mbetet kështu për të ardhmen e parashikueshme – që kur Putini erdhi në pushtet dhe nisi politikën e jashtme agresive të Rusisë post-sovjetike, Izraeli e ka gjetur veten duke ecur mbi gjemba nga interesat e Kremlinit.

Sidomos vitet e fundit, nën udhëheqjen e presidentëve Barack Obama, Donald Trump dhe tani Joe Biden, SHBA-ja ka reduktuar gjurmën e saj në Lindjen e Mesme, duke krijuar një vakum, i cili pritet të mbushet nga Rusia.

Izraeli është në një pozicion mjaft unik për sa u përket aleancave ushtarake. Nuk është anëtare e NATO-s dhe nuk ka aspiruar të futet.

Por, vitet e fundit ka pasur lidhje gjithnjë e më të ngushta ushtarake me shumicën e anëtarëve të aleancës perëndimore. Kjo, duke përfshirë stërvitjet e shpeshta të përbashkëta në Izrael apo në vende të tjera.

Ndërsa pala “armike” në këto stërvitje nuk është konkretisht kurrë Rusia, apo ndonjë vend tjetër, ushtritë e kombinuara përdorin doktrinat dhe protokollet e NATO-s, ndërsa armiku imagjinar ka sisteme armësh të prodhuara nga Rusia.

Nga ana tjetër, për gjashtë vjet e gjysmë – që nga vendosja ruse në Siri – Izraeli ka koordinuar nga afër operacionet e tij ajrore me Rusinë kundër objektivave iraniane.

Ndërsa Izraeli nuk i informon drejtpërdrejt rusët për objektivat e tij, si mekanizmi i dekonfliktit midis dy ushtrive, ashtu edhe marrëveshjet e qeta midis Kremlinit dhe Jerusalemit i kanë mundësuar Izraelit të vazhdojë të operojë mbi Sirinë pa u përplasur me forcat ruse.

Marrëdhënia me NATO-n është një aset strategjik për Izraelin, por koordinimi me Rusinë për Sirinë është një domosdoshmëri strategjike.

Një tjetër pikë strategjike, sipas Pfeffer, është shpresa e Izraelit për të shitur gaz natyror në vendet evropiane.

Planet për të krijuar një tubacion mesdhetar lindor nga Izraeli në Greqi dhe, më pas, në pjesën tjetër të kontinentit, janë aktualisht në pritje.

Megjithatë, shton analisti, nëse lufta shpërthen dhe një ndërprerje e mundshme e dërgesave të gazit rus në Evropën Perëndimore në thellësi të dimrit bëhet realitet, do të ketë një kërkesë për gaz izraelit për të zbutur mungesat.

Izraeli sigurisht që do të ishte i lumtur ta shiste atë, por gjithashtu do të ishte i shqetësuar që kjo të mos shihej si një veprim anti-rus.

Dhe, më pas, ekziston shqetësimi i vazhdueshëm i Izraelit për komunitetet hebre, të cilët do të jenë në rrezik kur të shpërthejnë armiqësitë.

Aktualisht nuk ka asnjë shenjë të rritjes së kërkesave të hebrenjve nga Ukraina, por kjo mund të ndryshojë shumë shpejt. Putin ka qenë gjithmonë pranë figurave hebraike dhe ka bërë një shfaqje të madhe për të goditur antisemitizmin.

Vetë Zelenskyy është hebre dhe qeveria ukrainase gjithashtu ka qenë shumë e interesuar për të treguar mbrojtjen e komuniteteve hebreje.

Por realiteti mbetet: të dy vendet janë të mbrujtura nga tradita të thella të judeofobisë që, tradicionalisht, manifestohen në kohë lufte dhe kaosi.

Gazetari thekson se administratave të njëpasnjëshme të SHBA-ve nuk u ka kaluar pa vënë re aktin balancues të Izraelit kur bëhet fjalë për Rusinë dhe janë përpjekur ta zbusin atë, por me pa sukses.

Izraeli ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të sponsorizuara nga SHBA-ja për veprimet ruse në të kaluarën. Izraeli gjithashtu, nën presionin rus, ka përfunduar marrëveshjet e sigurisë dhe marrëveshjet e armëve – fillimisht me Gjeorgjinë në vitin 2008, në prag të pushtimit rus atje, dhe më pas me Ukrainën në vitet e fundit.

Natyrisht, Izraeli shpreson të ruajë statusin e tij si aleati më i afërt dhe më i besueshëm i Amerikës, në Lindjen e Mesme. Por, kur bëhet fjalë për Putinin dhe për çdo luftë, apo pushtim që ai mund të planifikojë, Izraeli dëshiron dëshpërimisht të qëndrojë mënjanë.

Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për Albanian Post!