“Jam fermer”… Pamjet e pashfaqura më parë kur El Chapo rikthehet në burg pas dy arratisjesh

I veshur me uniformë të bardhë, pa emër, por vetëm i etiketuar me numrin 3870, bosi i drogës, Joaquin El Chapo Guzman duket në disa pamje të pashfaqura më parë, ndërsa shoqërohet nga rojet në një burg meksikan, i kapur për herë të tretë pas dy arratisjesh. Në video dëgjohet që kur rojet e pyesin për profesionin, El Chapo thotë shkurt: “Fermer”.

Intervista është pjesë e një video katërvjeçare të trafikantit famëkeq, bosi i Kartelit të Sinaloas, i cili tashmë ndodhet në një burg të sigurisë së lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në videon e shpërndarë nga mediat meksikane, Guzman shihet duke u regjistruar në burgun “Altiplano” në vitin 2016. Burgu ndodhet në një prej lagjeve të qytetit Juarez.

Më parë El Chapo ishte arratisur dy herë nga i njëjti burg, duke poshtëruar autoritetet meksikane, pasi kishte hapur një tunel mbi 1 kilometër të gjatë. Në vitin 2017, El Chapo u ekstradua në Shtetet e Bashkuara ku u dënua për 10 akuza në lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike dhe vrasjes.