Korniza prej druri në dhomën e lavanderisë time lexon, “Ti, Unë dhe Qentë”. E bleva atë kornizë gjashtë vjet më parë, kur më në fund pranova se jeta ime, e pasur me dashuri dhe kujdes për pesë qen, dy kuaj, burrin tim dhe pa fëmijë, është ashtu siç e kisha menduar të ishte.
Nuk jam ndjerë gjithmonë kështu. Doja të bëhesha nënë dhe të rritja fëmijët me burrin tim, Andrew, dhe mendoja se nuk do ta kishim problem të kishim fëmijë. Kaluan dhjetë vjet nga martesa jonë, ne jetonim në shtëpinë tonë dhe ndiheshim financiarisht të qëndrueshëm dhe gati, kështu që filluam të përpiqeshim për të pasur një fëmijë.
Nuk na u desh shumë kohë që unë të mbesja shtatzënë, por gëzimi ynë u zvogëlua shpejt kur unë abortova natën e Krishtlindjes në javën e tetë. Kjo ishte 13 vjet më parë, por kujtimet i kam ende të freskëta. Ne ishim për vizitë te vjehrrit e mi që ishin rreth tre orë larg shtëpisë, kur shqetësimet më zgjuan në mes të natës. Shkova në banjë dhe pashë sasi të mëdha gjaku. U ktheva në shtrat, thërrita Andrewn të zgjohej dhe i tregova se çfarë po ndodhte. U shtriva në shtrat dhe kam qarë deri në mëngjes, derisa u lidha me numrin e urgjencës së mjekut.
Zyra e urgjencës më tha që më e mira ishte të shkoja direkt në spital. Teksa udhëtuam për në spital gjithë rrugës kam qarë, ndërsa Andrew ngiste makinën. Pas një sërë analizash, ata kryen një ekografi të brendshme dhe konfirmuan se bebi nuk kishte rrahje zemre. Pas kësaj më këshilluan që qëndroja në shtëpi, në mënyrë që indet e mija të rikuperoheshin.
Aborti im solli ndjenja pikëllimi, zhgënjimi, zbrazëtie, frike, faji dhe dilema. Pavarësisht dhimbjes, vendosëm të vazhdojmë të ecnim përpara dhe të provonim përsëri. Shtatë muaj më vonë, përjetova një abort të dytë. Për shkak se nuk isha aq e madhe në javë sa radhën e parë, ishte fizikisht më pak e dhimbshme, por plagët emocionale më dërrmuan rëndë. Këtë radhë vetëm prindërit tanë e dinin që isha shtatzënë për herë të dytë. Do të kishte qenë e dhimbshme të njoftoja edhe anëtarë pak më të largët të familjes apo miq, për një tjetër humbje.
Edhe pse doja fëmijë, pasiguria ime u rrit. Vura në dyshim nëse kisha qëndrueshmëri emocionale për të vazhduar përpjekjet e qëllimshme për të mbetur shtatzënë, duke e ditur se ekzistonte rreziku i abortit dhe humbjes së mëtejshme. Nuk doja ta fusja trupin tim në ulje-ngritjet e IVF-së (fekondimit invitro). Përveç kësaj, OB-GYN-ja (gjinekologia) ime tha se nuk i kanë hetuan shkaqet se pse kisha arritur në aborte. Edhe pse ishim të pikëlluar, pas disa kohësh jeta përfundimisht rifitoi ritmin e saj. Ne morëm një qenush tjetër dhe vendosëm sërish që të kishim një fëmijë.
Kur motra ime mbeti shtatzënë me fëmijën e saj të parë, isha vërtet e gëzuar për të dhe burrin e saj, ndërkohë që menaxhoja edhe ndjenjat e mia të trishtimit që nuk kisha mundur dot të kisha fëmijë. Ndonjëherë më duhej të ikja në tualet kur emocionet fillonin të më pushtonin. Edhe pse isha e emocionuar kur mendoja se do bëhesha teze, ishte e qartë se ende nuk e kisha metabolizuar pikëllimin tim ose nuk e kisha përqafuar plotësisht faktin që unë dhe bashkëshorti im mund të mos bëheshim kurrë prindër.
M’u deshën disa vite që të gjeja paqen dhe pranimin, me mungesën e fëmijëve. E lejova veten që emocionet dhe trishtimi për atë shkak të më pushtonte hera- herës. Përmes punës së palodhur të vetë-reflektimit, kam kapërcyer ndjenjat e pamjaftueshmërisë dhe tani sinqerisht e vlerësoj dhe e pranoj vlerën time si një grua pa fëmijë.
Unë jam 46 vjeçe tani dhe nuk u bëra kurrë nënë. Por unë jam një edukatore për familjen time, qentë dhe miqtë e mi më të ngushtë. Unë kam instinktet e mamasë, ngatërrohem me cilindo prej tyre, dhe përpiqem të kujdesem gjithmonë për ta. Burri im dhe unë kemi pasur një jetë të bollshme dhe aventureske për të cilën jemi mirënjohës dhe krenarë.
Ne kemi lirinë për të jetuar në mënyrë spontane dhe për të kapur mundësitë shoqërore dhe profesionale. Për shembull, Andrew ishte në gjendje të pranonte një punë që kërkonte të transferoheshim në një shtet të ri dhe të linim familjen dhe miqtë tanë pas, të cilën me siguri do ta kishim refuzuar nëse do të kishim fëmijë. Ne jemi gjithashtu në gjendje të kënaqemi me udhëtimet dhe përvojat e tjera, më shpesh.
E kam ndjerë stigmën që ekziston për gratë pa fëmijë. Gratë pa fëmijë stereotipizohen si të paplota ose “egoiste”, ose disa nënkuptojnë se ne “po humbasim një pjesë kritike të të qenit grua”.
Të huajt më pyesin shumë, nëse kemi fëmijë. Pra, sa herë që më bëhet pyetja, përpiqem të gjej përgjigjet e përshtatshme.
Në pushimet tona të fundit në St. Lucia, ndërsa po ecnim në Gros Pitons, udhërrëfyesja jonë na pyeti nëse kishim fëmijë. Ne thamë me një buzëqeshje: “Nuk kemi fëmijë, por pesë qen të mrekullueshëm”.
Ajo u përgjigj: “Oh. Thjesht nuk doje ndonjë?”
Ndërsa lundroja në fjalët e saj, përgjigja ime ishte: “Ne thjesht nuk ishim të bekuar për të pasur fëmijë”.
Kohët e fundit, një pedikyrist gjithashtu më pyeti nëse kisha fëmijë, dhe kur i thashë jo, edhe ai më pyeti në mënyrë të ngjashme: “Oh, nuk i do ata?” Kësaj radhe u përgjigja me guxim: “Më vjen siklet që ju përgjigjem kështu, por është jashtëzakonisht personale.”
Përgjigja imë për këtë pyetje më parë më vendoste në siklet, ndërsa tani, kam lirinë për përgjigjen time dhe ndihem rehat duke vendosur një kufi. Por unë besoj se pyetja ndaj grave nëse kanë fëmijë (dhe më keq, pse jo?) duhet të jetë e ndaluar. Në të vërtetë nuk është punë e askujt.
Pyetja e grave për statusin e tyre prindëror dhe arsyet pas tij është jashtëzakonisht e sikletshme. Ndërsa nuk jam penduar për zgjedhjen tonë për të qenë pa fëmijë, ajo pyetje më bën të ndihem sikur amësia është aspekti i vetëm përcaktues i të qenit grua.
Në vend që të pyesni një të huaj, historinë e të cilit nuk e dini nëse ka fëmijë, pse të mos filloni një bisedë për interesat, hobit ose përvojat e tyre personale? “Çfarë bëjnë për t’u zbavitur?” “Cili është zhanri i preferuar i muzikës?” ose “Si janë pasionuar pas një hobi që u pëlqen?”
Ndonjëherë, ndihem pak sentimentale duke parë Andrew, i cili luan me nipin dhe dy mbesat tona, sepse e di që do të kishim qenë prindër të jashtëzakonshëm. Kjo është normale. I adhuroj fëmijët, më pëlqen të jem rreth shpirtrave të tyre të shkujdesur dhe aventuresk dhe përpiqem të jem mbështese për nënat. Më ka ndodhur t’i kem ndërruar pelenat, i kam ushqyer, i kam mbajtur për dore për të kaluar rrugën. Procesi im i shërimit ishte i gjatë, por i thjeshtë. Unë e pranova plotësisht fatin tim. Përpiqesha për të ofruar dashuri, udhëheqje, mentorim, dhe kujdes për të tjerët, veçanërisht familjen dhe miqtë e mi me dhe pa fëmijë dhe kafshët për të cilat kujdesem.
Ndaj nuk kam më pak dashuri në jetën time, vetëm sepse nuk e kam përjetuar mëmësinë, madje gjatë rrugës kam mësuar ta dua veten./ Huffpost/ A.ZH- dritare.net