Janusz Bugajski
Gjatë protestave të fundit në Beograd, zyrtarë serbë pretenduan se vendi ishte duke u sulmuar nga Rusia. Kjo të bën të mendosh nëse marrëdhënia e ngushtë Serbi-Rusi po prishet apo nëse Moska thjesht po vë në provë “vëllain e vogël”.
Për disa netë me radhë në fillim të korrikut, mijëra njerëz u mblodhën para Asamblesë Kombëtare në Beograd pasi Presidenti Aleksandar Vuçiç deklaroi se do të hynin në fuqi (rregullat) e izolimit për shkak të një rritjeje dramatike të të infektuarve me COVID-19. Demonstruesit ishin të zemëruar sepse, para zgjedhjeve të 21 qershorit, qeveria kishte pretenduar se virusi ishte dobësuar, por më pas, deklaroi, papritmas, (një qëndrim) krejtësisht të kundërt.
Një numër në rritje serbësh akuzojnë qeverinë se kanë vënë në rrezik jetën e njerëzve duke lejuar që virusi të dalë jashtë kontrollit, në mënyrë që të mbahen zgjedhjet dhe të rritet fuqia e partisë në pushtet. Protestuesit janë gjithashtu të bindur se numri i saktë i infektimeve dhe vdekjeve ishin fshehur prej popullit ndonëse ai vazhdon të rritet ndjeshëm.
Kur protestuesit u përpoqën të sulmojnë parlamentin serb, pati dhunë. Policia u akuzua për brutalitet në shpërndarjen e demonstruesve dhe për sulmimin e gazetarëve. Trazirat përbëjnë protestën më serioze kundër Partisë Progresive qeverisëse që kur ajo mori pushtetin në vitin 2012. Sidoqoftë, asnjë nga drejtuesit e opozitës që bojkotoi zgjedhjet nuk u bëri thirrje qytetarëve të demonstrojnë. Dhe provat tregojnë se protestuesit u mblodhën spontanisht, pas thirrjeve në rrjetet sociale dhe pa ndonjë mesazh ideologjik.
Qartësisht të frikësuar nga përpjekjet për ta hequr nga pushteti, Vuçiç deklaroi se shërbime sekrete të huaja të paidentifikuara kishin nxitur trazirat. Ai u zotua se do t’i rezistonte ndërhyrjeve të jashtme dhe nuk do të dorëzohej. Në atë që dukej si paranojë në rritje, ai gjithashtu fajësoi një shumicë të thurësve të teorive të komplotit, atyre që besonin se toka është e sheshtë dhe aktivistëve kundër vaksinimit për organizimin e protestave.
Lidhjet e huaja të pretenduara me demonstratat dhe hyrjen me forcë në parlament janë më intrigueset. Vuçiç vetë nuk specifikoi rolin e rusëve, por pretendoi se agjencitë e inteligjencës aktive në rajon ishin të përfshira. Zyrtarët në Beograd dukej se synonin të përhapnin dyshimet se agjentë kroatë, malazezë, ose shqiptarë mund të ishin duke provokuar trazirat në Serbi.
Jelena Milic, drejtoresha e Qendrës për Studime Euro-Atlantike (CEAS), një institut pro-qeveri mbi politikën në Beograd, ishte më specifike. Ajo akuzoi drejtpërdrejt shërbimet e sigurisë ruse për organizimin e protestave. Padyshim që akuzat e saj u kundërshtuan fuqishëm nga ambasadori i Rusisë në Serbi.
Nëse është e vërtetë, atëherë cili do të ishte qëllimi i Moskës në destabilizimin e aleatit të saj më të afërt në Ballkan? Duket pak si e pamundur se kjo ishte një përpjekje e drejtpërdrejtë për grusht shteti e drejtuar nga Kremlini, ashtu si në Mal të Zi gjatë zgjedhjeve të tetorit 2016, kur vendi ishte në prag të anëtarësimit në NATO. Ndryshe nga Mali i Zi, asnjë armë nuk u konfiskua dhe asnjë komplotist i huaj i grushtit nuk është identifikuar ose arrestuar. Do të jetë domethënëse të shikojmë se çfarë do të zbulojnë saktësisht hetimet zyrtare.
Protestat mund të kenë qenë një sprovë e qëllimshme dhe një paralajmërim për Vuçiçin që (i thonë se) ai nuk ishte i pathyeshëm, pavarësisht zgjedhjeve të qershorit, të cilat, në fakt, një sistem shumëpartiak e shndërruan në një strukturë një partiake. Ndoshta Moska ka dashur të mobilizojë grupet ultra-nacionaliste dhe pro-ruse për të treguar kërcënimin e tyre gjithnjë të pranishëm ndaj drejtimit të Vuçiçit dhe se Serbia nuk mund t’i shpëtojë orbitës së Rusisë.
Protestat e dhunshme mund të kenë qenë një shfaqje pakënaqësie ndaj aspiratave të qeverisë për t’u anëtarësuar në BE dhe për të pasur marrëdhënie më të ngushta me SHBA-në dhe NATO-n. Milic gjithashtu nënkuptoi se Kremlini po i dërgonte një paralajmërim të fortë Beogradit për të mos bërë ndonjë marrëveshje me Kosovën. Koha e protestave ngjall dyshime – në prag të rifillimit të bisedimeve me Prishtinën nën kujdesin e BE-së.
Në kundërshti të plotë, liderët e opozitës serbe pretenduan se dhuna ishte një provokim i krijuar nga qeveria për të diskredituar të gjitha demonstratat. Fajin për sulmin e mbetur në tentative ndaj parlament ia hodhën grupeve të kontrolluara nga partia në pushtet, përfshirë huliganët e futbollit, të krijuar për të trembur njerëzit e zakonshëm nga pjesëmarrja në çfarëdo proteste.
Sidoqoftë, nëse lidhja e Kremlinit me trazirat është e vërtetë, atëherë qeveria Vuçiç duhet të veprojë për të mbrojtur shtetin. Beogradi duhet të heqë dorë nga politikat e tij “balancuese” mes Perëndimit dhe Lindjes, të largojë agjentët rusë nga “qendra humanitare” në Nish, t’i bashkohet BE dhe SHBA-së në vënien e sanksioneve për pushtimin e Ukrainës nga ana e Rusisë dhe të fillojë të lëvizë drejt anëtarësimit në NATO.
Për më tepër, me fitoren e tij të madhe në zgjedhje Vuçiç gjithashtu ka mandatin të marrë vendime të vështira siç është njohja e statusit përfundimtar të një Kosove të pavarur. Duke vepruar kështu, ai do të hyjë në histori si një burrë shteti pararendës i cili më në fund pajtoi serbët dhe shqiptarët dhe e futi Serbinë në të gjitha institucionet perëndimore.