Një padi e Kosovës ndaj Malit të Zi, përmes së cilës po kërkohet kthimi i pronësisë së 4 mijë e 500 metrave katrorë tokë në shëtitoren “Rafailoviq”, ka kthyer vëmendjen te pronat e tjera që Kosova thuhet se i ka jashtë vendit. Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Kosova ka 163 prona nëpër shtete tjera.
Por, çfarë pronash janë dhe në cilat shtete gjenden?
Hotele, toka, ndërtesa administrative, lokale, depo, zyra e fabrikë, janë vetëm disa prej aseteve që Kosova i ka në listën e pronave të saj jashtë vendit. Këto prona gjenden në qytete të ndryshme të shteteve që ishin pjesë e Jugollavisë.
Për numrin total të pronave që ka vendi nëpër shtetet tjera, llojin e tyre dhe qytetet ku ndodhen kanë folur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Nga Zyra për Media e AKP’së i kanë thënë Gazetës Express se ata kanë në evidencë 163 prona të Kosovës jashtë vendit, shumica e të cilave janë lokale dhe zyra.
Numri më i madh i tyre gjenden në Serbi dhe Mal të Zi. Shtete tjera ku ndodhen prona të tilla janë edhe Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia.
“Sipas të dhënave që ka Agjencia Kosovare e Privatizimit, në bazë të deklarimeve të ish-menaxhmenteve të ndërmarrjeve shoqërore dhe në bazë të dokumentacionit të siguruar, AKP i ka në evidencën e saj 163 prona shoqërore që ju përkasin Ndërmarrjeve Shoqërore të ndryshme nëpër shtete të dala nga ish Jugosllavia. Prej 163 pronave shoqërore jashtë vendit shumica janë lokale dhe zyra”, kanë dekruar nga AKP’ja.
Nga ky institucion thonë se në vazhdimësi zhvillojnë procedura administrative dhe gjyqësore në këto shtete për këto prona. I vetmi vend ku pamundësohen procedurat e tilla është Serbia, meqenëse AKP’ja pengohet që të ketë qasje ligjore në dokumentacion.
“Me përjashtim të Republikës së Serbisë, shtet në të cilin AKP pengohet të ketë qasje ligjore në dokumentacionin administrativ dhe procedura tjera ligjore, në shtetet tjera AKP zhvillon në vazhdimësi procedura administrative dhe gjyqësore në emër të Ndërmarrjeve Shoqërore, për posedim ligjor të këtyre pronave.
Procesi i posedimit faktit dhe juridik i pronave në fjalë, mbetet sfidë jo e lehtë për AKP dhe Ndërmarrjet Shoqërore, duke marrë parasysh rrethanat shumëvjeçare të zhvillimeve politike dhe kornizës ligjore të shteteve përkatëse”, thuhet në përgjigjen e AKP’së drejtuar Gazetës Express.
Ndryshe, mediat malazeze kanë raportuar së fundi se Ministria e Drejtësisë në Kosovë, ka ngritur padi ndaj Komunës së Budvës, përmes së cilës ka kërkuar kthimin e të drejtës së pronësisë për 4 mijë e 500 metrave katrorë tokë në shëtitoren “Rafailoviq”.
Informacione se si kanë rrjedhur procedurat qysh prej deponimit të padisë e deri më tani për këtë rast ka dhënë Avokati i Shtetit, Sami Istrefi.
“Në vitin 2018, ne e kemi pranuar nga një palë paditëse, një qytetar malazez. Në mesin e dhjetë personave që i ka paditur, është edhe Ministria e Drejtësisë së Kosovës, me të cilën ai ka pretenduar se një pjesë e pronës tonë është e tij. Ne në bazë të dokumentacionit që posedojmë, e kemi siguru atje, jemi pronarë faktikë dhe juridikë për atë zonë. Aty janë pushimoret, kjo Rafailoviq është në territor të tyre”, ka thënë Istrefi.
“Ne kemi ushtruar të gjitha parashtresat e nevojshme, tash jemi në proces gjyqësor me “Rafailoviqin”. Janë mbajtur 3-4 seanca gjyqësore, kam qenë vetë prezent. Kam dashur t’i ndjek nga afër. Në momentin kur i kemi siguruar të gjitha provat e nevojshme, ne menjëherë kemi ushtruar padi, e kemi ushtruar të drejtën tonë, në bazë të legjislacionit të Republikës së Malit të Zi. Këtu kemi të bëjmë me komunën e Tuzit, më konkretisht është kjo pjesa e Beqiqit”, ka shtuar ai.
Istrefi ka thënë se kjo çështje nuk ka të bëjë me raportet e Kosovës me Malin e Zi, pasi kjo është një procedurë civile dhe nuk goditet asnjë vendim politik.
“Nuk kemi të bëjmë këtu me raportet politike ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, kjo është një procedurë civile, nuk jemi në procedurë që po goditet ndonjë vendim politik, apo i institucioneve, këtë fakt duhet ta kemi parasysh. Nuk kemi askund raporte juridikëe me ta”, ka deklaruar Istrefi.
Avokati i Shtetit deklaroi për Express se Kosova po e kërkon një të drejtë ligjore pasi është pronare faktike dhe juridike për disa parcela në Mal të Zi.
“Ne vetëm jemi duke e kërkuar të drejtën tonë ligjore pasi jemi pronarë faktikë dhe juridikë për disa parcela në Mal të Zi, gjegjësisht për disa pushimore atje. Aty është numër i madh i pronave të cilat i posedon Republika e Kosovës, e shpërndarë në disa ndërmarrje publike që kanë qenë. Kjo pjesa ku jemi ne, ka qenë e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ne si Avokaturë e Shtetit e mbrojmë Shtetin në gjykata dhe arbitrazh ndërkombëtar. Kudo që AKP-ja ka qenë pronare, dhe pjesë e një procedure atje, ne nuk e kemi përfaqësuar”, ka deklaruar Istrefi.
Ai tregoi se është caktuar një gjeodet i cili do ta precizojë qartë për sa metra katrorë bëhet fjalë, ku gjendet parcela dhe të gjitha detajet tjera.
“Në sallë gjyqësore është kërkuar të caktohet një gjeodet, i cili do ta precizonte qartë, kërkesat tona se për sa metër katrorë bëhet fjalë, ku gjendet dhe të gjitha këto do t’i përcaktojë një gjeodet i licensuar nga gjykata atje”, ka deklaruar Istrefi.
Sipas tij, në bazë të provave që i ka siguruar nga arkivat e institucioneve në Mal të Zi, Republika e Kosovës është pronare e asaj parcele.
“Në bazë të provave që i kemi, që i kemi siguruar te institucionet e Malit të Zi, në arkivat e tyre, komplet provat dhe faktet janë se Republika e Kosovës është pronare e asaj parcele, ne kemi ushtru padi dhe iu kemi përgjigjur padisë së palës paditëse, ky “Rafailoviqi” që na ka paditur”, ka deklaruar Istrefi.