Jo vetëm pandemia, gabimet që po e çojnë Turqinë drejt falimentimit

Nga Frank Stocker -Welt

Lira turke ka javë që zhvlerësohet, teksa rezervat valutore në vend janë drejt shterjes. Kjo mund të çojë deri në falimentim kombëtar. Dy janë vendet që mund të ndërhyjnë si shpëtimtare – por ato nuk do ta zgjidhnin dot problemin thelbësor të Turqisë

Ndërkohë që numri i rinj i njerëzve të infektuar me koronavirus është në rënie, në Turqi, shifrat janë ende në dyfishin e atyre në Gjermani. Megjithatë, numri i testimeve të kryera është shumë here më i lartë. Pas një politike kaotike në fillim, për t’u përballur me valën e pandemisë, vendi duket sikur ka filluar ta kuptojë se me çfarë është duke u përballur.

Sidoqoftë, nuk është ky shkaku i rënies së monedhës turke. Lira turke ka pësuar luhatje të forta për javë me radhë, aq sa duket sikur janë duke u ringjallur kujtimet e luhatjeve të mëdha të verës së vitit 2018.

Por, ndërkohë që një dollar ishte ende në kufijtë e gjashtë lirave në fillim të marsit, të marten çmimi i dollarit shkoi në shtatë gjatë së martës, e nuk duket që ky të jetë fundi i luhatjes.

Gjatë kësaj krize, problemet strukturore të ekonomisë turke, të cilat kanë qenë të njohura për vite me radhë, por që nuk janë trajtuar nga qeveria, tani janë duke shfaqur gjithë fuqinë e hidhur të tyre. Dhe kjo mund të çonte deri edhe në një falimentim kombëtar.

“Nëse do të na duhej që t’i jepnim Presidentit Erdogan një certifikatë për përgjigjen e tij ndaj krizës së shkaktuar nga virusi “Korona” deri më sot, për shkak të veprimeve të tij ndonjëherë krejt të gabuara dhe kontradiktore, ajo nuk do të ishte edhe aq e dobishme,” – u shpreh Tobias Gruber, analist pranë DZ Bank. Shkollat dhe universitetet u mbyllën menjëherë, por fabrikat vijuan punën, në mënyrë që të mos vihej ekonomia në rrezik.

Dhe lajmi për izolimin u dha me aq ngut, saqë njerëzit, të përfshirë nga paniku dolën të bënin shpenzime massive – çka bëri që të ndodhte pikërisht ajo që supozohej të ishte parandaluar.

Megjithatë, e gjitha kjo është veçse një pjesë e së tërës, përmes së cilës mund të shpjegojmë dobësimin aktual të lirës, – thotë Gruber. Përgjatë viteve të fundit qeveria ka dështuar dhe nuk e ka vendosur dot ekonominë në themele të shëndosha dhe kjo është shumë më serioze. Kjo tregohet qartë edhe nga një studim i agjencisë së vlerësimeve “Scope”. Në këtë studim krahasoheshin 63 ekonomi, që të shihej se sa elastike janë ato kundrejt tronditjeve nga jashtë. Turqia qëndronte në vend të dytë nga fundi, madje duke u lënë pas edhe nga Argjentina. Vetëm Gjeorgjia performonte më dobët.

Problemi bazik është varësia e lartë e vendit nga kapitali i huaj. Borxhi në monedhë të huaj në sektorin privat, veçanërisht i kompanive, ka pësuar rënie që prej pikut të arritur në shkurt 2018, nga 223 miliardë dollar në 175 miliardë dollar. “Një lirë e dobët i vendos kompanitë e ngarkuara me barrën e borxhit në monedhë të huaj në një pozitë shumë të vështirë”, – deklaron analisti i “Scope”, Dennis Shen.

Banka qendrore është në vështirësi

Por nuk është vetëm sektori privat, por edhe vetë shteti. Sipas Bankës Botërore, 53% e borxhit publik është i denominuar në monedhë të huaj, dhe vetëm detyrimet afatshkurtra ishin gjithsej 123 miliardë dollar në fund të 2019. Kjo është në kontrast me gjendjen e rezervave valutore, e cila qëndron në shifrat 88 miliardë dollar.

Kjo, në vetvete, e vë bankën qendrore në një situate shumë të vështirë. “Banka qendrore ka ndërhyrë vazhdimisht për t’i bërë ballë trysnisë së zhvlerësimit të lirës, por kjo nuk do të ishte e mundur për shumë gjatë, dhe kjo është edhe për shkak të rezervave valutore tanimë të ulëta,” – është shprehur Wolfgang Kiener, analist pranë BayernLB. Në përgjithësi, tregjet sa vjen dhe e kanë vënë edhe më shumë në dyshim se Turqia do të mund ta rifinancojë borxhin e saj të lartë të jashtëm.

Sidoqoftë, kostot e të ashtuquajturave marrëveshje SWAP të riskut të kreditimit credit default swaps (CDS), një lloj sigurimi i likuiditetit për investitorët e bondeve, janë rritur ndjeshëm. “Kjo pasqyron një probabilitet të shtuar të mosshlyerje,” – thotë Kiener. Pra, kësaj here shteti do të ishte zyrtarisht i falimentuar.

Në mënyrë të ngjashme i sheh edhe Phoenix Kalen nga Société Générale. “Hapësira e Turqisë për të manovruar është duke u tkurrur”, – shënon ajo, duke shprehur edhe frikën e saj: “Autoritetet turke mund të jenë të detyruara që ta lëshojnë gjithë monedhën, ose, në mënyrë alternative, të përdorin kontrolle më strikte të kapitalit.”

Dhe sikur të mos mjaftonte, banka qendrore është duke i përkeqësuar gjërat. Një javë më parë, ajo shkurtoi normat kryesore të interesit me një përqind, në 8.75 %. Gjatë tronditjes së fundit të kursit të këmbimit në vitin 2018, kjo normë qe rritur në 24 % për të ndaluar luhatjet. Që prej asaj kohe, ajo është kthyer gradualisht pas.

Gjithsesi, norma e inflacionit është ende nën dymbëdhjetë përqind. Kjo çon në një normë reale të interest minus 3,2 përqind. Me shumë gjasa, norma e rritjes së çmimit pritet të bjerë lehtë me daljen nga kriza. Megjithatë, kjo nuk është e sigurt dhe ka kaluar një kohë goxha e gjatë që norma reale negative e interesit e tkurr kapitalin.

Erdogani u përpoq të joshte emigrantët – dhe u godit nga virusi

“Çekuilibra të tillë makroekonomikë dhe probleme të tjera afatgjata në lidhje me cilësinë e politikës ekonomike të Turqisë janë duke ndikuar te besimi i investitorëve, duke pasur parasysh veçanërisht ndjeshmërinë e lartë globale,” – u shpreh Shen. Ai gjithashtu i trembet faktit se nëse zgjat edhe më kjo situatë e vështirë, atëherë vendi mund të hyjë në një krizë financiare. Por ai beson se në një situate të këtillë Turqia mund të marrë ndihmë nga vende si Katari, ose Kina, por sigurisht, jo nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Pasi edhe vetë Presidenti Erdogan është tejet i vendosur për të mos e bërë diçka të tillë.

Këto hua ndihmë do ta shmangnin falimentin shtetëror në afatshkurtër, por nuk do të ishin dot zgjidhje për problemin kryesor të vendit. Për t’ia arritur kësaj, do të duhej që së pari të ulej varësia nga kapitali i huaj. Prandaj, është e një rëndësie të posaçme që Turqia ta rrisë forcën e saj tërheqëse si destinacion për investime afatgjata, thotë Shen. Dhe, për këtë do të duhej që të implementoheshin reforma strukturore, në mënyrë që të ulej inflacioni në afatgjatë, por duhet të ulej edhe deficiti në buxhet i qeverisë.

Deri më tani, sidoqoftë, nuk ka asnjë shenjë për ndonjë nga këto masa. Si rezultat, asnjë analist nuk ka asnjë arsye për të besuar se lira do të bëjë kthesë. Ecuria është për poshtë, deri në një njoftim të dytë.