Ish-ministri i jashtëm i Millosheviqit dhe shërbëtori i tij besnik, Vlladisllav Jovanoviq, pretendon se situata e krijuar në Ukrainë kërkon që Perëndimi – prej Uashingtonit deri në Bruksel, të stabilizojë interesat në Ballkan, transmeton gazeta pro-qeveritare serbe “Novosti”.
“Prandaj janë fokusuar në burimin kryesor të vështirësisë, që sipas tyre është Serbia si faktor vendimtar në raport me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën. Kjo është arsyeja pse ato iniciativa të mëdha gjeopolitike janë të koordinuara gjerësisht, duke mos zgjedhur as formën as etikën.
Dy diplomatët e rinj të dërguar nga Macron dhe Scholz shfaqen si një formë e drejtpërdrejtë presioni, pra një “sulm” që duhet të kurorëzohet me njohjen e Kosovës. Gjithçka tjetër janë fjalë që duhet ta mbulojnë këtë, si ato nga letra në të cilën Macron dhe Scholtz bëjnë thirrje për lëvizje të guximshme”, ka deklaruar Jovanoviq.
Sipas tij, “bëhet fjalë për presion të drejtpërdrejtë me shijen e një ultimatumi, i cili është larg rregullave diplomatike”.