Kabashi: Fadil Gashi i kishte thënë Thaçit se i bindej vetëm Rugovës

Ka përmbyllur dëshminë në Hagë ish-pjesëtari i UÇK-së, Shefqet Kabashi. Ai tha se në fshatin Sferkë të Klinës ka dëgjuar që ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Gashi, i kishte thënë Hashim Thaçit se i bindet vetëm presidentit Ibrahim Rugova. Sipas tij, në këtë kohë kishte marrë urdhër për ta vrarë Gashin

Në ditën e dytë të dëshmisë në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Shefqet Kabashi tha se ka dëgjuar që ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Gashi, i kishte thënë Hashim Thaçit se i bindej vetëm presidentit Ibrahim Rugova.

Një anëtar i trupit gjykues e pyeti Kabashin rreth deklarimit të tij për urdhrin që ta vriste Gashin.

“E kam ende të paqartë këtë – në draftdeklaratën tuaj ju thoni: ‘Më vonë dëgjova se para sesa të urdhërohesha që ta vrisja, Fadil Gashi i kishte thënë Hashim Thaçit se do të merrte urdhra vetëm nga presidenti Rugova’ dhe aluduat te kjo edhe sot. E kam të paqartë se si dëgjuat se Fadil Gashi i tha Hashim Thaçit që do të merrte urdhra vetëm nga presidenti Rugova”, e ka pyetur atë Fergal Gaynor, anëtar i Trupit Gjykues.

“Siç e thashë, nga njerëzit përreth. Shkoja në Sferkë prej ku ishte Fadil Gashi, nga ushtarët, njerëzit përreth”, është përgjigjur dëshmitari Kabashi.

Shumica e kësaj seance u shoqërua me probleme me transmetim.

Të martën, kur Specialja, po ashtu, pati probleme me transmetim, Kabashi theksoi se nga eprori i tij Alush Agushi mori urdhër që krahas Gashit ta vriste edhe Dinë Berishën, që po kështu ishte pjesëtar i UÇK-së. Krahas tyre, edhe deputetin e Kuvendit, që u zgjodh gjatë luftës, Rrok Berisha.

Dëshmitari Kabashi tha se nuk i ka përfillur urdhrat për vrasje dhe se Berishës i çoi mesazh se ishte në rrezik.

“Në atë kohë punët ishin ndryshe. Jeta të ikte për një çast. Ishin kohë shumë të rrezikshme. Ajo që thashë unë ishte e vërtetë. A i thashë që je në rrezik apo që kam urdhër: jo nuk i thashë kam një urdhër për të të vrarë. Dërgova kushëririn. I thashë ta paralajmërojë e edhe kjo nuk ishte e lehtë ta bëje, sepse po ta dërgoje dikë e ta paralajmëroje se rrezikohet me jetë, dhe po të merrej vesh siç qe rasti i Rrok Berishës, rrezikoheshe vetë dhe besoj që e dini më mirë se unë këtë gjë”, ka thënë ai.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, më 1 shtator të ’98-tës, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi me pjesëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së u mblodhën në Sferkë të Klinës, ku komandanti i Policisë Ushtarake, Dinë Berisha, tha se e përkrahte linjën institucionale të qeverisë së LDK-së në ekzil. Sipas kësaj dosjeje, Thaçi deklaroi se ata që s’e njohin Shtabin e Përgjithshëm janë kriminelë dhe se do të luftojnë kundër tyre.

Dëshmitari Kabashi e ka përmbyllur dëshminë, e pas tij ka vazhduar Sadik Halitjaha, ish-zëvendëskomandant i Zonës Operative të UÇK-së për Pashtrikun.