Gazeta The New York Times ka botuar sot një kabllogram që sipas saj po qarkullon prej disa kohësh në qendrat e ndryshme të CIA-s nëpër botë, ku disa prej drejtuesit e shërbimeve sekrete amerikane paralajmërojnë agjentë te tyre për një valë të kundërt, ku dhjetëra agjentë dhe veçanërisht informatorë po zbulohen dhe në disa raste janë ekzekutuar në pikat më të nxehta të planetit.
Arsyet janë nga më të ndryshmet. Në dekadat e fundit, aksioni i kundërspiunazhit amerikan është përqendruar tek lufta kundër organizatave terroriste në Lindjen e Mesme, duke anashkaluar deri diku sektorë tradicionalisht të mbuluar si Rusia dhe Kina, por që sot duken problematikë për sa i përket rekrutimit dhe veçanërisht sigurisë që rekrutimi nuk do të japë si rezultat një lojë të dyfishtë.
Ndryshimet marramendëse në teknologji, që kanë mundësuar modernizimin e kundër inteligjencës edhe në vende që më parë kishin një diferencë shumë të madhe mjetesh me Shtetet e Bashkuara, dhe që sot mund t’i lejojnë vetes përdorimin e mjeteve si skanimet biometrike, teknologjitë e njohjes së fytyrës dhe të tilla, e bën më të vështirë për agjenci si CIA që të mos lej gjurmë në misionet e veta.
Përdorimi i hakerave nga ana e vendeve rivale kohët e fundit, sipas burimeve, ka zbuluar mesazhe të koduara që kanë mundësuar kapjen e të paktën dy informatorëve të CIA-s në Kinë dhe Iran, dhe në të dy rastet personat janë ekzekutuar.
Madje, sipas kabllogramit sekret që po qarkullon, nga pozicioni i “sulmit” CIA-s mund t’i duhet të luajë në ”mbrojtje”, me rrezikun faktik që shumë agjentë të saj, operativë ose të paktën në pension, mund të vendosin të punojnë për shtete ose organizata të huaja dhe aspak miqësore, siç paralajmërohet në kabllogram. Si në rastin e Jerry Chun Shing Lee, një ish-agjent i CIA-s që u dënua me 19 vjet burgim sepse kishte kaluar informacione qeverisë kineze./a2news