Nga: Arben Hoxha
Vdekja e personit fizik – Kadare bëhet aleatja me e fortë për përmbushjen e misionit të mendjes letrare kadareane: çlirimin dhe lirinë! Ndarja nga jeta e Kadaresë është një ditë e përmbylljes së mundësive të tij empirike, të konsumueshme, për të ushtruar aksionin e vet në jetë: të shkruarit e veprave letrare. Vdekja e Kadaresë është vetëm një ikje nga fuqia e pushtetit të trupit të vet për t’i lënë hapësirë veprimi fuqisë së përhershme, asnjëherë të konsumueshme: vizioneve të hapura për komunikim të prodhuara nga mendja e tij letrare dhe të materializuara në veprën e tij
Në sallën kryesore të Institutit Albanologjik të Prishtinës, zakonisht jemi bërë bashkë të shtyrë nga ndjenja e detyrës profesionale dhe vullneti i arsyes për të reflektuar shkencërisht për problemet të ndryshme të letërsisë. Në këtë sallë, në konferenca e sesione të ndryshme shkencore, na ka bërë bashkë edhe vepra letrare e Kadaresë. Me kompleksitetin e pasurisë së saj ndjenjore e mendore, ajo, jo rrallë, është bërë arsye e debateve, e përplasjeve, e mospajtimeve mes studiuesish, por edhe e pajtimeve konsensuale për vlerën e pakontestueshme dhe të pacenueshme të saj.
Sot, në këtë sallë, për ndryshim prej herëve të tjera, na ka tubuar dhembja e përbashkët për ikjen fizike të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Sot ndjenja jonë njerëzore është tronditur nga dhembja për humbjen e një jete që la gjurmë të thella pas vete në jetën e ndërgjegjes kulturore të kombit tonë.
Në ekzistencën tonë vdekja nuk është një kufi ndarës nga jeta, por mundësia themeltare për ndërtimin vleror të kuptimit të saj. Vdekja nuk është përfundimi i mundësive, por kusht i mundësive. Vdekja është shpata e Demokleut që në jetë na dikton vendimet për zgjedhjet tona: çfarë dëshirojmë të jemi dhe si duam të jemi; çfarë mendojmë dhe si duam të veprojmë. Në ekzistencën e tyre, shkrimtarët e mëdhenj janë luftëtarët dhe negociuesit më të dinjitetshëm me rendin metafizik të ekzistencës: ata negociojnë e përplasen me kufizuesen (me vdekjen dhe gjithë atributet e saja: dëshpërimin, dhembjen, vetminë, shëmtinë, luftërat, të padrejtën, plakjen, braktisjen, etj.) për të pakufishmen – për përhershmërinë e ekzistencës së qenies njerëzore në botë. Varësisht prej karakterit të betejave dhe intensitetit të negocimit që shkrimtarët do të kenë me vdekjen, vdekja empirike e një shkrimtari jodomosdoshmërisht bëhet një fakt i sigurt dhe i paluajtshëm. Vdekja fizike e tij është një mundësi plotnie për veprën: që vepra të komunikojë pa cenet që e ngarkojnë dhe e mbajnë të lidhur çorientimisht ndërgjegjen e lexuesit me cenet e personit fizik të shkrimtarit.
Vdekja është një shkëputje arbitrare e të gjitha lidhjeve që kushdo ka mundur të ketë në jetë me personin Kadare. Ndoshta është një numër i vogël këtu nga ne që ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Kadarenë. Pra, Kadare në jetën e vet, ka mundur të jetë i lidhur me ndonjërin nga ne, por, pothuajse nuk ka nga ne që nuk është përfshirë nga uragani e mendjes letrare kadareane. Ndërsa trupi, si objekt fizik, synon vazhdimin e lidhjeve kauzale me botën, prandaj edhe vazhdimin e kontakteve tona të drejtpërdrejta me personin fizik Kadare, mendja letrare kadareane, me produktet e veta (veprat) është forca dhe dëshmia e mohimit konsekuent të kësaj lidhjeje: ajo është dëshmia e forcës që e synon çlirimin nga çfarëdo lidhjeje me rendin kauzal të botës fizike. Në këtë rast vdekja e personit fizik – Kadare bëhet aleatja më e fortë për përmbushjen e misionit të mendjes letrare kadareane: çlirimin dhe lirinë!
Ndarja nga jeta e Kadaresë është një ditë e përmbylljes së mundësive të tij empirike, të konsumueshme, për të ushtruar aksionin e vet në jetë: të shkruarit e veprave letrare. Vdekja e Kadaresë është vetëm një ikje nga fuqia e pushtetit të trupit të vet për t’i lënë hapësirë veprimi fuqisë së përhershme, asnjëherë të konsumueshme: vizioneve të hapura për komunikim të prodhuara nga mendja e tij letrare dhe të materializuara në veprën e tij. Këto vizione të hapura do të jenë gjithnjë aktive për mendjet e uritura për përsosmëri e fuqizim të trupit të njerëzores kundrejt çnjerëzores brenda nesh. Pse themi kështu?
Përhershmërinë e ekzistencës dhe qëndrueshmërisë së vlerës së veprës letrare të Kadaresë nuk e garanton “risia stilistike” në vetvete që ajo ka sjellë dhe që bazohet në kategorinë e dallimit me parapraken; as “risia narratologjike” në vetvete; as “risia përmbajtjesore” në vetvete. Risia që vjen vetëm për hir të dallimit nga paraprakja, nuk e garanton qëndrueshmërinë vlerore të saj. Risia ka kuptim kur ajo sjell një kuptim të ri për ekzistencën dhe botën. Risia ka vlerë vetëm nëse ajo sjellë një vlerë vizioni domethënës dhe të rëndësishëm për qëndrueshmërinë e qenies dhe të ekzistencës njerëzore në botë.
Vepra e Kadaresë do të mbetet e përhershme, jo për shkak të ndonjë aftësie të tij të veçantë për eksperimentim me forma e zhanre letrare. Ajo do të mbetet përhershmërisht në themel të qenies së kulturës sonë letrare, në veçanti, dhe në kulturën shqiptare në përgjithësi, para së gjithash dhe mbi të gjitha, për shkak të këmbënguljes së pashoqe të vullnetit të mendjes letrare kadareane për t’u përballuar me problemet më të ndërlikuara e më komplekse të kuptimit të qenies shqiptare në kohë; këmbënguljes së pashoqe për të gjetur dhe ofruar para lexuesve pamjen e vet kuptimore unike për unitetin dhe për funksionimin e tërësisë së qenies shqiptare brenda paradokseve që krijojnë pjesët e saj në përplasjet mes vete; këmbënguljes së pashoqe për të parë rregullin në kaosin historik të ekzistencës shqiptare. Problemet e tilla thelbësore e unike për mendjet krijuese gjeniale janë motivuese e frymëzuese. Për mendjet mediokre ato janë dëshpërimisht frikësuese, prandaj edhe cenuese për fuqitë e tyre të kufizuar.
Jehona e mendjeve të frymëzuara nga probleme të thella zgjidhja e të cilave hedh dritë mbi kuptimin e ekzistencës njerëzore do të mbetet përhershmërisht në horizontin e kulturave që tërhiqen nga lartësitë e qartësisë së mendimit dhe kuptimit. Vepra e Kadaresë është një pikë e domosdoshme ankoruese për ngjitje të mëtejme horizonteve të pafundme të këtyre lartësive. Mendjet që motivohen e frymëzohen nga nevoja e domosdoshme për ndriçimin e kuptimit të ekzistencës njerëzore, përherë mbeten motivuese dhe frymëzuese për mendjet që kërkojnë lartësim e ndriçim. Mendja letrare kadareane është një mendje e tillë: mendje e lartësuar dhe lartësuese!
Shchopenhaueri, duke e bërë dallimin në mes të talentit dhe gjeniut, thotë se talenti është ai i cili godet në shenjë, të cilën të tjerët nuk janë të aftë ta godasin. Ndërsa, gjeniu është ai i cili godet në shenjë, të cilën të tjerët jo vetëm që nuk janë të aftë ta godasin, por as nuk mund ta shohin atë. Me vizonin e tij letrar Kadare ka goditur në shenjën, të cilën, para tij, mendjet letrare shqiptare, as nuk e kishin parë. Vlerën goditëse të shigjetës së mendjes letrare kadareane mbi tabelën e problemeve të kuptimit të ekzistencës së qenies shqiptare, mendja shqiptare e së ardhmes do ta zbulojë gjithnjë e më shumë.
Cila është kjo shigjetë e mendjes letrare kadareane që i jep asaj avantazhe sipërore në historinë e kulturës letrare, sot dhe nesër? Është shëmbëlltyra dhe imagjinata narrative. Përmes shëmbëlltyrës, si instrument i mendjes letrare, Kadare në veprën e vet, në procesin e ndërtimit të kuptimit, arrin të kombinojë historinë dhe projeksionin, si dy prej formave themelore të interpretimit të idesë së kuptimit për ekzistencën e qenies shqiptare në botë, në shtrirje kohore. Përmes shëmbëlltyrës dhe në shëmbëlltyrë, Kadare arrin që të bashkojë në një pikë çastin, të kalueshmen, me të përhershmen, të pandryshueshmen; botën reale objektive me të përtejmen. Ndërkaq, përmes imagjinatës narrative, duke përdorur skema të imazheve sensuale (shikimit, zërit, prekjes), Kadare arrin që, në veprën e vet, ta deduktojë shpjegimin dhe vlerësimin për kuptimin e vet unik për qenien dhe ekzistencën shqiptare. Këto instrumente të mendjes letrare kadareane bëjnë të mundur që ato kuptimet të jenë universale. Prandaj edhe të gjithbotshme.
Shkrimtarët e guximshëm janë ata, të cilët idenë e kuptimit të jetës e ndërtojnë duke u përplasur me themelin e vetë jetës: me vdekjen (edhe atributet e saj). Ata që përballen me vetë vdekjen dhe në jetë negocion me të për përjetësinë e jetës, vdekja nuk mund të ketë pushtet e as siguri. Ndeshja e mendjes letrare kadareane me këtë nënë të vazhdimësisë së jetës – vdekjen, ishte e ashpër, asnjëherë dëshpëruese, por përfituese e çliruese për jetën. Ajo do të bëhet çliruese si për jetën individuale kadareane ashtu edhe për jetën e kombit shqiptar, në veçanti, dhe të njerëzimit, në përgjithësi, sot dh nesër.
Me humbjen fizike të Kadaresë, pushteti i vdekjes nuk ka krijuar asnjë avantazh sigurie mbi avantazhin dominues që tashmë e ka krijuar mendja letrare kadareane mbi të.
Vdekja fizike e Kadaresë, si vdekje e qenies së rendit të ultë, të konsumueshme, është një mundësi e re për ne dhe brezat që vijnë pas për të hyrë në lidhje më të plota e më të fuqishme me mendjen e tij letrare, si qenie e rendit më të lartë dhe të pavdekshëm, për të reflektuar mbi avantazhet që ajo ka krijuar dje dhe për avantazhet që mund të krijojë në të ardhmen për konsolidimin dhe lartësimin e idesë së kuptimit për veten tonë si qenie njerëzore, qenie sociale e kombëtare.
Në këtë ditë të ikjes fizike të mjeshtrit shqiptar të përdorimit të fuqisë së mendjes letrare – Ismail Kadaresë – lavjerrësi i dhembjes sonë luhatet nga pika e respektit përulës te pika e krenarisë së ndërgjegjes së çliruar për gjithçka që i ai i la trashëgim shpirtit shqiptar!
Fjala e mbajtur në Mbledhjen komemorative, të organizuar nga Instituti Albanologjik më 02.07.2024, me rastin e vdekjes së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare.