Kajari për situatën në Veri: Nëse ka barrikada, KFOR-i do të veprojë

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc Kajari, ka thënë se KFOR-i ka rritur praninë e vet në veri të vendit, derisa ka paralajmëruar serbët se nuk do të lejojë barrikadimin e rrugëve.

“KFOR-i ka vendosur pikat e vrojtimit dhe pikat e kontrollit teknik në të gjithë hapësirën. Po ashtu, kemi rritur edhe aktivitetin patrullues në gjithë rajonin. Këto masa janë marrë për të qenë në gjendje për çfarëdolloj incidenti dhe për një siguri më të madhe. Nëse ka tensione, ne do të veprojmë sipas mandatit tonë”, ka thënë Kajari për RTK.

“Nëse krijohen barrikada kjo e pengon lëvizjen e lirë dhe nëse nuk arrihet marrëveshja, atëherë do të arrijmë në një moment ku KFOR-i do të duhet të veprojë për të mundësuar lirinë e lëvizjes”, ka shtuar Kajari.

Kajari ka kërkuar nga të gjitha palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe për gjithçka të negociohet dhe të arrihet marrëveshje politike, pasi sipas tij ‘’vendosja e barrikadave nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës’’.

Më 31 korrik një barrikadë ishte vendosur në fshatin në fshatin Rudare në rrugën Mitrovicë – Zveçan – Leposaviq, pasi që në mesnatën e kësaj dite Qeveria e Kosovës pritej të niste zbatimin e vendimit për ndalimin e targave “KM, etj” të lëshuara nga Serbia për veturat e serbëve në Veri të Kosovës, ku u kërkohet t’i regjistrojnë në RKS, si dhe ndalohet hyrja në Kosovë me dokumenta identifikimi të Serbisë, si masë e reciprocitetit, ku do të pajisen me një dokument të posaçëm për hyrje të lëshuar nga Republika e Kosovës.

Ngjarjet më pastaj, pas revoltës së serbëve u zhvilluan shumë shpejtë. Hapin e parë për ta ç’tensionuar situatën e bëri Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai pas takimit me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin deklaroi se ka propozuar shtyrjen e vendimit të Qeverisë për një muaj.

Pas kësaj, Qeveria u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për një muaj, nëse serbët largojnë barrikadat e vendosura, ndërkaq në mesnatë u lëshuan dokumentet e para për hyrje-dalje.