Një zyrtar i Komisionit Evropian i tha Gazetës Express se janë duke përpiluar raportin për liberalizimin e vizave me disa përditësime teknike i cili do të prezantohet për diskutim në Këshillin e BE-së. Ky zyrtar i KE-së tha gjithashtu se raportin janë duke e përgatitur në konsultim me Presidencën çeke të Këshillit Evropian dhe shtetet anëtare në mënyrë që i njëjti të shërbejë si element kyç për vendimmarrje nga shtetet anëtare.
Presidenca çeke e BE-së në një përgjigje ekskluzive për Express të shtunën konfirmuan se raporti i KE-së për liberalizimin e vizave pritet të jetë në agjendën e Grupit Punues për Viza më 13 tetor.
Megjithatë ministrat e brendshëm të BE-së që kanë në dorë trajtimin e liberalizimit të vizave s’do ta kenë në agjendën e takimit të ardhshëm.
Një burim brenda BE-së i tha Gazetës Express se në takimin dy ditor të ministrave të punëve të brendshme dhe të drejtësisë së BE-së më 13 dhe 14 tetor s’do ta diskutojnë çështjen e liberalizimit të vizave.
“Kjo temë s’do të jetë në agjendën e takimit”, tha ky burim.
Ndërkaq, Komisioni Evropian është duke e përgatitur përditësim teknik lidhur situatën aktuale me liberalizimin e vizave i cili pritet të prezantohet në muajin ardhshëm kur edhe mblidhen grupet punuese të shteteve anëtare.
“Për të mbështetur vendimmarrjen e shteteve anëtare, ne do të prezantojmë këtë vit raportin tonë të zgjerimit 2022 të shoqëruar me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave. Aktualisht jemi duke punuar në përgatitjen e këtij përditësimi teknik në konsultim me Presidencën e Këshillit dhe Shtetet Anëtare. Ky përditësim do të jetë vetëm një dokument teknik, për të prezantuar një gjendje të përditësuar të situatës aktuale që lidhen me standardet e liberalizimit të vizave, për të mbështetur diskutimet në Këshill”, i tha Gazetës Express një zyrtar i Komisionit Evropian.
Ai shtoi tutje se përditësimi teknik nuk përmban as kusht e as standard të ri për Kosovën.
“Është vlerësimi ynë se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Përditësimi teknik nuk do të përbëjë një vlerësim të ri dhe nuk do të shtojë ndonjë kusht apo standard të ri”, tha ai.
Ky zyrtar i KE-së konfirmoi edhe njëherë se Komisioni Evropian ka vlerësimin e njëjtë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash.
“Komisioni konfirmoi në korrik 2018 se Kosova i përmbushi të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Vlerësimi ynë qëndron ende. Pas votës në favor të Parlamentit Evropian në vitin 2019, tani i takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara këtë çështje. Ne i inkurajojmë ata që të lëvizin përpara me heqjen e vizave për Kosovën. Ne rregullisht ofrojmë një përmbledhje të performancës së Kosovës në fusha të ndryshme relevante për standardet përmes raporteve të vendeve në zgjerim. Një pasqyrë e përditësuar është ofruar më 19 tetor 2021, e cila tregon se Kosova ende i përmbush standardet”, tha ai.
Se Çekia është duke shfrytëzuar udhëheqjen e Këshillit të BE-së për ta çuar përpara çështjen e liberalizimit të vizave e dëshmon edhe letra që Praga zyrtare u ka dërguar shteteve anëtare të BE-së.
Në atë letër Çekia ka bërë thirrje që liberalizimi i vizave të dalë në diskutim dhe se për këtë çështje të arrihet konsensus i brendshëm dhe të lëvizet përpara.
Për përpjekjet e Çekisë në favor të heqjes së vizave për kosovarët foli edhe zëdhënësi i Presidencës çeke, Voclav Smolka, i cili i tha Gazetës Express se do të bëjnë të gjitha përpjekjet që tema e liberalizimit të vizave për Kosovën të futet sa më parë në agjendën e ministrave të BE-së.
“Presidenca çeke do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta sjellë sa më shpejt këtë çështje në nivelin e ministrave. Mirëpo, përkrahja/miratimi nga Këshilli Evropian (shefave të shteteve) nuk është një parakusht në këtë çështje. Ajo që është me rëndësi, procesi në Këshill që ende mund të zgjasë disa muaj, është në rrugën e duhur. Ne jemi duke punuar në mënyrë aktive drejt një vendimi pozitiv sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Smolka.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský, këtë javë do të jetë në Prishtinë dhe i njëjti ka konfirmuar se presidenca çeke e BE-së do ta rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën këtë vjeshtë.