Është dashur të përsëritën plotë pesë here zgjedhjet në Tërnoc të Luginës së Preshevës që Shaip Kamberi të rizgjidhet deputet i Kuvendit të Serbisë kështu duke u bërë përsëri zëri i vetëm i shqiptarëve të Luginës edhe në këtë përbërje legjislative atje.
E për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndonëse gjëra të çuditshme ndodhen në Tërnoc, në zgjedhjet parlamentare të prillit, mbështetja e Serbisë që votimi në këtë komunë të përfundojnë me një rezultat konkret nuk ka munguar.
“Keni marrë gjithë ndihmën e Republikës së Serbisë, që në përputhje me ligjin, ato zgjedhje të mbarojnë”, ka thënë Vuçiç duke ju drejtuar Kamberit në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Serbisë, ku për dy ditë rresht temë diskutimi ishte Kosova.
Ndonëse për Kamberin, anulimi i këtij vendvotimi, për të satën herë me radhë ishte tentativë për të penguar reprezentimin e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë. Për Vuçiç, Beogradi zyrtar kishte insistuar vazhdimisht që zgjedhjet në këtë komunë të përfundojnë.
Tërnocasit në zgjedhjet e fundit në Serbi u detyruan që për pesë herë me radhë të paraqiteshin në njësinë numër 6 për të votuar, për shkak se Komisioni Qendror Zgjedhor gjithmonë gjente një arsyetim për t’i anuluar ato.
“Siç e dini, jam i njoftuar me të gjitha gjërat e çuditshme që kanë ndodhur në Tërnoc, por kemi insistuar që të përsëritej aq herë sa të mos ndodhin këto ngjarje të çuditshme, por kjo është diçka që është e rëndësishme për demokracinë tonë”, ka pohuar Vuçiç.
Sipas Vuçiç, pretendimet e Kamberit se Serbia cenon të drejtën e shqiptarëve për liri të shprehjes nuk qëndron.
“Të bëhet e qartë një gjë për të gjithë ata që na dëgjojnë që askush nga ne nuk ju ka thënë që nuk guxoni të flisni, apo të zgjidhni se çfarë të flisni, gjithmonë thoni atë çka mendoni, kjo është e mirë dhe e rëndësishme”, ka shtuar Vuçiç në Kuvendin e Serbisë gjersa replikonte me Kamberin.