Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) po u dërgon mesazhe telefonike qytetarëve të Kosovës, për t’i njoftuar ata për reduktimet e energjisë elektrike, që pritet të nisin nga e enjtja.
“Për shkak të krizës energjetike dhe sipas udhëzimeve të KOSTT do të ketë kufizime të furnizimit me energji elektrike në orare të caktuara”, thuhet në mesazh.
Operatori i shpërndarjes së rrymës në vend (KEDS) ka njoftuar sot se duke filluar nga e enjta, në Kosovë do të kthehen reduktimet e energjisë elektrike sikur në vitet e para të pasluftës.
Siç ka njoftuar KEDS-i, ky vendim ka ardhur për shkak të mbingarkesës së sistemit elektroenergjetik në vend ditëve të fundit.
“Gjatë ditëve të fundit, sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase. Të njëjtën kohë, duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, Operatori i Tregut- KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.