Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar dje si këshilltar të tij, e udhëheqës së Zyrës për Çështje të Komuniteteve, Cvetko Veljkovic. Për të nuk u dhanë shumë detaje, përveç se u tha se është ekonomist me profesion e vjen nga Shtërpca. Megjithatë, më vonë u pa se ndër vite ai kishte bërë jo rrallë herë thirrje nacionaliste kundër shqiptarëve. Në qeveri kanë folur për Gazetën Express, derisa, Veljkovic është lajmëruar përmes një shkrimi në rrjete sociale.
Jo rrallë herë kishte bërë thirrje nacionaliste kundër shqiptarëve.
Këshilltari më i ri i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit thoshte se Kosova është pjesë e Serbisë, bombardimet e NATO’s ishin gabim, e poashtu edhe njohjet e reja.
Mirëpo, Veljkovic që ka treguar simpatinë e tij për njërin nga gjeneralët më famë keq të Serbisë, Ratko Mladic me sa duket ka premtuar për ndërrim të qëndrimeve, kur iu është ofruar një post i rëndësishëm në këtë qeveri.
Gazeta Express dje gjatë ditës ka dërguar pyetje në zyrën e kryeministrit në detyrë, për të parë nëse janë në dijeni për këto qëndrime të këshilltarit të Kurtit, e nëse të njëjtat janë të mjaftueshme për të shqyrtuar vazhdimin e punës së tij në këtë institucion.
Nga qeveria kanë bërë të ditur se pas lajmeve që janë publikuar në media, Veljkovic ka thënë se është i kënaqur që është pjesë e ndryshimeve, e se ata kanë qenë të njoftuar vetëm për ndryshimet në bindjet e tij.
“Për qartësim te opinionit publik, z. Velkovic, në llogarinë e tij të Facebook-ut ka publikuar një status në të cilin ka deklaruar se ai është i kënaqur qe është bërë pjesë e ndryshimeve dhe ne te njëjtën kohe ka bere thirrje te te gjithë qe te bëhen pjese e këtyre ndryshimeve pozitive. Për ndryshimet ne bindjet e tij ne kemi qene te informuar”, ka thënë për Express, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.
Vetë Veljkovic përmes një statusi në Facebook ka shkruar se ka nderin që është emëruar këshilltar i Kurtit dhe drejtor në zyrën për komunitete.
Ai ka thënë se në pozicionin në të cilin është emëruar do të jetë edhe më i përkushtuar në të mirë të njerëzve në Serbi.
“Unë kërkoj nga të gjithë ju, cilindo komb të jeni, të jeni pjesë e ndryshimeve pozitive dhe fillimit të përparimit të popullit tonë”, ka shkruar ai, pa kërkuar falje apo pa u distancuar nga qëndrimet e mëparshme.
Veljkovic e ka zëvendësuar si këshilltar të kryeministrit, Nenad Rashiqin, kjo pasi që ky i fundit dha dorëheqje nga pozitat që mbante në qeveri, pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale.