Sonte në fshatin Llabjan të Novobërdës, një zyrtare policore dhe një avokat janë sulmuar fizikisht nga katër persona. Rasti është denoncuar nga vet viktimat dhe si rezultat të dyshuarit kanë rënë në prangat e Policisë.
Përveç identitetit të polices dhe avokatit që janë viktima të këtij rasti, Sinjali ka mësuar edhe emrat e personave të dyshuar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se katër personat që dyshohen se janë përfshirë në këtë rast të sulmit janë: Përparim Veliu, Elbasan Osmani, Besmir Gashi dhe Durim Gashi, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Katër të dyshuarit, të moshave të reja, janë denoncuar për sulm fizik ndaj zyrtares policore Verlindë Memeti dhe avokatit Taulant Ismajli, të cilët ishin në një veturë, kur të dyshuarit dolën nga automjeti i tyre dhe dyshohet se i sulmuan.
Mehmeti dhe Ismajli janë ndalur papritmas teksa ishin duke lëvizur me veturën e tyre, kur katër të dyshuarit filluan sulmin fillimisht duke goditur veturën e më pas edhe ata.
Në bazë të informacioneve të para, të dyshuarit i kanë sulmuar fizikisht ata, duke përdorur edhe mjete të forta dhe për pasojë iu kanë shkaktuar lëndime trupore.
Avokati Ismajli është kontaktuar për të marrë versionin e tij, por i njëjti ka refuzuar kategorikisht që të prononcohet lidhur me rastin, duke mos e thënë asnjë detaj për atë që ka ndodhur dhe raportin e tij me policen në fjalë.
“M’fal…jo jo, nuk muj. Po më vjen keq. Kurgjo s’muj mu deklaru. S’ka konfirmim”, tha shkurt Ismajli për Sinjalin.
Ndaj të dyshuarve, me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Dëmtimi ose asgjësimi i pronës”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.