Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 42-të me radhë, ku ka miratuar tri projektligje dhe vendime tjera të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Në fillim të kësaj mbledhje, kryeministri Albin Kurti ka folur për ngritjen e çmimeve të produkteve esenciale si pasojë e pandemisë COVID-19.
“Pasojat e pandemisë Covid-19 në ekonominë globale, po e afektojnë edhe Kosovën, duke ndikuar në ngritjen e çmimeve të shumë produkteve esenciale. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, që është burim i energjisë së produkteve industriale, nxiti edhe ngritjen e çmimit të vajit, sheqerit, drithërave, mishit dhe produkteve të qumështit. Si një vend importues, Kosova nuk kishte si të përbënte përjashtim. Përkundrazi, ne varemi nga importet e përditshme, e bashkë me importet, rrjedhimisht importojmë edhe inflacionin”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se konsumi në Kosovë zë një komponentë të rëndësishme të importit.
“Ushqimi dhe pijet kryesisht për konsum të ekonomive familjare, përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të importeve totale të mallrave të konsumit .Statistikat e Bankës Botërore për ndërmarrjet prodhuese tregojnë se rreth 78.5% të kompanive prodhuese në Kosovë përdorin materiale, inpute ose furnizime të tjera, që janë me origjinë të huaj dhe mesatarisht 47.4% e inputeve totale janë të huaja, pra të importuara. Ky është mesazh i qartë i domosdoshmërisë për ri-orientim të ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit dhe drejt një zhvillimi të qëndrueshëm”, tha Kurti.
Kryeministri ka përmbyllur fjalën e tij duke u bërë apel qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe durimin, sepse siç ka thënë, nga sot Qeveria ka nisur të punojë për një pako masash që do t’i ndihmojnë të tejkalojnë më lehtë vështirësitë financiare të krijuara nga situata me pandeminë.
Më tej gjatë kësaj mbledhje me propozimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qeveria ka miratuar dy vendime për themelimin e Komisionit për vlerësimin dhe studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë; dhe Komisionit për përgatitjen e para llogarisë dhe planit ideor për zbatimin e rehabilitimit të zonës tampon të Hanit të Elezit ndërmjet dy objekteve kufitare të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Është shqyrtuar dhe miratuar nga kabineti qeveritar edhe Raporti financiar nëntëmujor për vitin 2021 për buxhetin e Republikës së Kosovës. Në këtë periudhë janë regjistruar gjithsejtë të hyra në shumën prej 1,855.26 milionë euro, që paraqet 67% të planifikimeve dhe është për 24% më e madhe se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
Shpenzimet në këtë periudhë arritën shumën prej 1,553.47 milionë euro dhe paraqesin 56% të shpenzimeve të planifikuara dhe janë për 3% më të larta se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
Me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është aprovuar vendimi nga kabineti qeveritar sipas të cilit do të përfitojnë pagesa shtesë në vlerë të mbështetjes financiare prej 100 € (njëqind euro), të gjithë përfituesit e skemave pensionale për muajin Nëntor 2021, në kuadër të zbatimit të masës 3.2 – Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Vendimi i radhës që ka marrë miratimin nga kabineti qeveritar aprovon dyfishimin e pagesës mbi vlerën bazë dhe të shtesave të aprovuara për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për periudhën Nëntor-Dhjetor 2021, në kuadër të zbatimit të masës për mbështetjen e pensionistëve dhe familjeve në asistencë sociale të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Qeveria ka anuluar Vendimin përfundimtar të shpronësimeve për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit të ndërtimit të Autostradës Prishtinë-Pejë, në segmentin Kijevë-Klinë-Zahaq. Vendimi vjen pas auditimit dhe vlerësimit që evidenton parregullsi të theksuara.
Vendimet tjera që u morën sot:
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2021. Me ndryshimet e Programit Legjislativ për vitin 2021 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ndryshohet afati i miratimit në Qeveri, i këtyre projektligjeve:
1. Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës;
2. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë;
3. Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-001 për Përfitimin e ish Zyrtarëve tё Lartë;
4. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-016 për Ushqimin;
5. Projektligji për Pyje;
6. Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi në kontekstin e aderimit në Bashkimin Evropian;
7. Projektligji për Diasporën;
8. Projektligji për Shërbimin e Jashtëm;
9. Projektligji për Zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara;
10. Projektligji për Financat e Pushtetit Lokal;
11. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-021 për Akcizën në Produktet e Duhanit;
12. Projektligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat;
13. Projektligji për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare jo Bankare;
14. Projektligji për Prokurim Publik;
15. Projektligji për Partneritetin Publiko–Privat;
16. Projektligji për Marrëveshjen e Bashkëfinancimit për Parkun Inovativ Trajnues në Prizren (ITP Prizren) në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ);
17. Projektligji për Marrëveshjen e Kredisë për Financim Shtesë për Projektin Rehabilitimi i Linjës Hekurudhore 10, ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim;
18. Projekt Kodi Civil;
19. Projektligji për Pronën Publike;
20. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-023 për Personat e Zhdukur;
21. Projektligji për Sistemin Qendror të Evidencës Penale;
22. Projektligji për Avokaturën Shtetërore.
Shtohet në Programin Legjislativ për vitin 2021:
1. Projektligji për Aktet Juridike;
2. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-057 për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore;
3. Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Projektin e “Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë” në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim;
4. Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Kornizë të Bashkimit Evropian për Kërkim dhe Inovacion – Horizon Evrope;
5. Projektligji për Ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimi në mes të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prishtinë, Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright.
Tërhiqet nga Programi Legjislativ për vitin 2021:
1. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social;
2. Projektligjin për Inspektoratin e Punës;
3. Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-216 mbi Themelimin e Sistemit për Sigurimin e Depozitave për Institucione Financiare në Kosovë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-133;
4. Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale;
5. Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar;
6. Projektligji për Kambialin dhe Premtim Pagesën;
7. Projektligji për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto përgjegjësia;
8. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuar nga Shteti;
9. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë;
10. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-205 për Agjencinë e Punësimit;
11. Projektligji për Marrëveshjen e Kredisë për Projektin e Autostradës së Paqes, Segmenti Besi-Merdare, ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim;
12. Projektligji për Marrëveshjen e Kredisë për Projektin e Autostradës së Paqes, Segmenti Besi-Merdare, ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Investime;
13. Projektligji për Ndihmën Shtetërore;
14. Projektligji për Pensionimin e Zyrtarëve Policorë;
15. Projektligji për Tregti të Brendshme.
Në vazhdim të mbledhjes tri projektligje kanë marrë miratimin nga kabineti qeveritar:
1. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura i cili ndryshon dhe plotëson Ligjin për Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës; Ligjin për ndihmë juridike falas; Ligjin për Akademinë e Drejtësisë; dhe Ligjin për Aviacionin Civil.
2. Projektligjin për tokën ndërtimore i cili përcakton kushtet dhe procedurat e përcaktimit të tokës ndërtimore, pronësinë dhe administrimin e saj, shfrytëzimin, transformimin e të drejtës së shfrytëzimit të tokës ndërtimore nga pronësia shoqërore në pronësi publike apo pronësi private.
3. Projektligji për produktet biocide i cili rregullon funksionimin e tregut të brendshëm me harmanizimin e rregullave për vënien në dispozicion në treg dhe përdorim të produkteve biocide, duke siguruar nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.
Në vazhdim të mbledhjes Qeveria ka miratuar Rregulloren mbi pezullimin e shërbimeve komunale për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të tatimit në pronë, përmes të cilës përcaktohen shërbimet komunale që pezullohen nga Komuna me qëllim të mbledhjes dhe detyrimeve të papaguara të tatimit në pronë.
Qeveria ka miratuar edhe Koncept Dokumentin për Vlerësimin Strategjik Mjedisor i cili analizon mungesat në Ligjin ekzistues për vlerësimin strategjik mjedisor dhe rekomandon hartimin e ligjit të ri që do të rregullojë këtë fushë.
Ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhje edhe Vendimi për të aprovuar propozimet e Komisionit Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për pesë anëtarët e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, që do t’i dërgohen Kuvendit të Republikës së Kosovës për votim dhe përzgjedhje.
Në mbledhjen e sotme është themeluar Këshilli Ndërministror për Ujërat i cili do të shqyrtojë çështjet sistemore të administrimit me ujëra, harmonizimin e nevojave dhe interesave të ndryshme, si dhe propozimin e masave për zhvillimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e resurseve dhe sistemit ujor të Kosovës, në këtë përbërje:
1.1.Kryeministri i Republikës së Kosovës Kryesues;
1.2.Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve anëtar;
1.3.Ministrja e Ekonomisë anëtare;
1.4.Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës anëtar;
1.5.Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural anëtar;
Pas shqyrtimit është miratuar Programi për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut 2021-2025. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë bazë e shoqërisë demokratike. Ashtu siç janë të definuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës e në instrumentet ndërkombëtare të aplikueshme drejtpërdrejt në shtetin e Kosovës, këto të drejta duhen implementuar. Për këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës miraton Programin për të Drejtat e Njeriut 2021-2025 duke synuar zhvillimin socio-ekonomik të bazuar mbi largimin e pengesave ndaj përmbushjes së të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë atyre ekonomike, që do të ndihmojnë qytetarin të punojë, kursejë, konsumojë dhe të jetojë me dinjitet e në paqe. Programi për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut parasheh këto objektiva strategjike:
– Përmirësimi i qeverisjes, transparencës, koordinimit institucional dhe i llogaridhënies brenda institucioneve publike për të realizuar më tej të drejtat e njeriut;
– Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut;
– Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe promovimi i mirëqenies për të gjithë;
– Lehtësimi i Qasjes në Sistemin e Drejtësisë.
Vendimi tjetër i aprovuar në mbledhjen e sotme e obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të zbatojë sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj shtatë individëve të lidhur me organizatën terroriste “Hezbollah” dhe Kompaninë AID-ar Properties. Sanksionet konsistojnë në ngrirjen e aseteve; ndalimin e udhëtimit; dhe ndalimin e vënies në dispozicion fonde nga individët e dhe entitetet në Republikën e Kosovës.
Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme është bërë përditësimi i Listës shtetërore strategjike për mallrat me përdorim të dyfishë në përputhje më Listën e Bashkimit Evropian për mallrat që vihen nën kontroll për shkaqe të sigurisë kombëtare, politikës së jashtme, sigurisë publike ose për arsye të të drejtave të njeriut.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar një vendim me të cilin ka autorizuar Ministrinë e Punëve të Brendshme që të bëj rishpërndarjen e mjeteve buxhetore të brendshme të kursyera.