Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga policia serbe.
Ai ka akuzuar Brukselin për mbyllje sysh, duke thënë se kjo është vrazhdësi, të cilën e krahasoi me atë të Serbisë në shkeljen e marrëveshjeve.
“Vrazhdësia me të cilën Serbia po shkel marrëveshjet është e krahasueshme me vullnetin e Brukselit për t’i mbyllur sytë karshi këtyre shkeljeve”, ka shkruar Bislimi në profilin e tij personal në Facebook, derisa ka shpërndarë postimin e kryeministrit Kurti për kidnapimin e tre policëve.
Kurti tha se hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, ka shkruar Kurti.