Vetëm pak orë pas deklaratës së përbashkët të presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij kinez Xi Jinping, të cilët prezantuan një aleancë strategjike kundër NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka reaguar Uashingtoni.
E pyetur nga gazetarët për qëndrimet e dy udhëheqësve, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë deklaroi se Pekini i di qartë pasojat e një sulmi të mundshëm ndaj Ukrainës.
“Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken foli kohët e fundit me Ministrin e Jashtëm të Kinës ku theksoi sigurinë globale dhe rreziqet ekonomike që vijnë nga agresioni i mëtejshëm rus kundër Ukrainës. Ne kemi përcjellë gjithashtu se një konflikt destabilizues në Evropë do të ndikonte në interesat e Kinës në të gjithë botën. Dhe sigurisht, Kina duhet ta dijë këtë.Ne mund të kontrollojmë marrëdhëniet tona dhe mbrojtjen e vlerave tona, si edhe përpiqemi të gjejmë mënyra për të punuar me vendet edhe kur nuk jemi dakord me ta.”
JEN PSAKI, SEKRETARJA E SHTYPIT E SHTËPISË SË BARDHË
Dy liderët u takuan në Pekin para hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore. Presidenti kinez mbështeti kërkesat e homologut të tij rus, Putin që t’i jepet fund zgjerimit të NATO-s dhe për të marrë garanci sigurie nga Perëndimi. Ndërkohë Kremlini shprehu mbështetjen e tij për qëndrimin e Pekinit se Tajvani është një pjesë e Kinës.
Ndërkohë , si pasojë e përshkallëzimit të tensioneve Ukraina ka kërkuar të furnizohet me armë nga Gjermania. Në një letër drejtuar Ministrisë së Jashtme në Berlin, thuhet se Kievi ka kërkuar armë për shkak të situatës jashtëzakonisht të tensionuar të sigurisë dhe kërcënimit nga agresioni rus.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë kanë paralajmëruar sanksione ekonomike kundër Rusisë me shpresën që të bindin presidentin Putin të tërheqë trupat që ka vendosur pranë kufirit me Ukrainën.