Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës ka denoncuar në Polici disa raste të kërcënimeve që kanë pranuar pas publikimit të një komunikate ku kishte dalë kundër bartjes së shamisë në shkollat e Kosovës, debat ky që u ngrit pas një fushate që ka nisur në rrjetet sociale. Sinjali raportoi mbrëmë se reagimi që publikoi kisha siç duket ka shkaktuar reagime, shumë prej të cilave u denoncuan në Polici, nga një pastor.
Burimet thonë se lidhur me këtë rast, Policia tashmë ka identifikuar një person, i moshës 22-vjeçare i cili është intervistuar nga hetuesit policorë, si i dyshuar për veprën penale “kanosje”. Ai ka dhënë deklaratë për komentin e tij, ndërkohë që Prokurorit i Shtetit ka vendosur ta hetojë në procedurë të rregulltë.
Në komunikatën e publikuar në Facebook, thuhet se “Kisha Protestante Ungjillore e Kosovёs (KPUK) shprehet kundёr bartjes sё shamisё dhe ushtrimit tё fesё nёpёr shkolla publike dhe nё cilindo institucion shtetёror e publik, si dhe kundёr vendosjes sё simboleve religjioze nёpёr institucionet komunale e shtetёrore, e qё mjerisht janё tё shumta e shpeshta kudo nёpёr Kosovё.”
Kjo deklaratë erdhi pas fushatës #ndryshojeni_ua_për_shaminë, me kërkesën për ndryshimin e udhëzimit administrativ i cili nuk lejon bartjen e shamisë në shkolla.
Ndryshe, për fushatën që tashmë ka nisur ende s’kanë dhënë asnjë deklaratë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e as kryeministri Albin Kurti.
Por ministria që udhëheqë Nagavci ka lëshuar një komunikatë, ku thotë se e drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar, andaj “konform përgjegjësive që kemi, do t’i përmbushim të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore”.