Ndonëse nga Vetëvendosje thanë se do të refuzojnë çfarëdo ftese të presidentit Hashim Thaçi për konsultime pas shkarkimit të qeverisë Kurti, ky i fundit sot i ka dërguar ftesën zyrtar Albin Kurtit për takim, shkruan Insajderi.
Takimi mes të parit të ekzekutivit dhe presidentit parashihet të mbahet të mërkurën.
Si president, Thaçi ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do t’i nis takimet me krerët e partive politike, për të diskutuar lidhur me hapat që do të merren pas mocionit për rrëzimin e Qeverisë.
Ai ka njoftuar se do t’i marrë hapat e përcaktuar në Kushtetutë.
“Pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë do të ndërmarr hapat e përcaktuar në Kushtetutë. Në këtë drejtim, ju ftoj që të merrni pjesë në takimin konsultativ për të diskutuar hapat e mëtejshëm”, thuhet në këtë ftesë.