Dy vjet më parë, i burgosuri Bedri Krasniqi, që është i dënuar me 44 vjet burg për vrasjen e policëve dhe për kidnapimin e biznesmenit nga Gllareva, Azem Morina, kishte planifikuar të arratisej nga Burgu i Sigurisë së Lartë.
Krasniqi kishte ndërtuar një objekt në formë të revoles, të cilën planifikonte ta përdorte gjatë ikjes për t’i kanosur zyrtarët e burgut.
IndeksOnline ka siguruar foto të “revoles” së Krasniqit e cila është nderuar me pasta dhëmbësh dhe plastikë të shkrirë.
Ajo në dukje të parë të len përshtypjen e një pistolete të vërtetë, mirëpo kjo u zbulua para se i burgosuri të niste realizimin e planit të arratisjes.
Gardianët kishin marrë informacion me kohë për një tentativë të mundshme të Bedri Krasniqit dhe kishin marrë të gjitha masat e duhura duke shtuar sigurinë brenda dhe jashtë burgut të Dyzit.
Për këtë plan të Krasniqit ishin në njohuri edhe agjentët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës si dhe ata të Policinë e Kosovës.
Por ndryshe nga ky plan i dështuar, Bedri Krasniqi në vitin 2008 kishte arritur të ikte nga Burgu i Dubravës për tu arrestuar sërish pas dy viteve.