Drejtoresha e Klinikës Infektive në Prishtinë, Lindita Ajazaj – Berisha, në një konferencë për media, ka thënë se rezultatet që i kanë marrë nga Instituti i Biokimisë, rreth zarfeve të ardhur me vota nga Serbia, kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë agjenti infektiv.
“Për momentin me këto rezultate të strishove që janë marrë, përjashtohet që bëhet fjalë për një sëmundje infektive, në të gjitha analizat laboratorike që i kemi marrë nga Instituti Biokimisë. Kurse strishot e marra, që i kemi marrë sot rezultatet, edhe ato e përjashtojnë mundësinë e ndonjë agjenti infektiv”, ka thënë ajo.
Tutje ka thënë se gjendja e pacientëve është e mirë dhe se janë duke shqyrtuar lirimin e tyre për në shtëpi.
“Ne sikur edhe dje, edhe sot në klinikën infektive gjenden 12 pacientë. Gjendja e tyre është e mirë. Kur ta shohim të arsyeshme do t’i lëshojmë për në shtëpi. Prej rezultateve që i kemi marrë, është konfirmuar që nuk ka sindromë infeksioze”, ka shtuar ajo.