Klitschko i zhgënjyer me Gjermaninë: E tradhtoi mikun

Miliardat që Rusia ka investuar në lobistë, ish-politikanë dhe koncerne gjermane i janë shpaguar Vladimir Putinit, shkruan gazeta “Bild” të hënën, duke cituar ish-kampionin e boksit dhe tash kryebashkiakun e Kievit, Vitali Klitschko.

https://www.youtube.com/watch?v=HGzQxWVjfUQ

Gazeta gjermane me tirazhin më të lartë, shkruan se Ukraina nuk është vetëm e zhgënjyer me refuzimin për furnizim me armë, por edhe për faktin se Gjermania po vazhdon të mbështesë projektin rus “Nord Stream 2”.

SHBA-ja dhe Britania e Madhe i kanë ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës, e cila nga dita në ditë parashikohet se mund të sulmohet nga Rusia, shtet që ka dislokuar mbi 100 mijë trupa në kufi.

Klitschko, që është shumë i njohur në Gjermani, pasi për kohë të gjatë bëri karrierë të madhe sportive, në një intervistë për “Bild” nuk e fshehu zhgënjimin e tij me butësinë e qeverisë gjermane ndaj Rusisë.

Në anën e kujt është Gjermania

“Është një refuzim për të ofruar ndihmën e parë dhe tradhti e mikut në një situatë dramatike, në të cilën kufijtë tanë kërcënohen nga prania e trupave ruse”, tha Klitschko. “Shumë po pyesin se në anën e kujt është qeveria gjermane? Në anën e lirisë, përkatësisht Ukrainës apo në anën e agresorit”, ka shtuar ai.

Sipas Klitschkos, Gjermania duhet të sigurohet që lobistët si ish-kancelari socialdemokrat Gerhard Schroeder të ndalojnë së punuari për regjimin rus.

“Fatkeqësisht, edhe deklaratat e pakuptueshme të zëvendës-admiralit gjerman për Rusinë dhe Putinin tregojnë se edhe mbajtësit e tjerë të posteve të rëndësishme në Gjermani, vuajnë nga ‘mungesa totale e ndjenjës së realitetit’”, tha Klitschko.

Mirëkuptimi i Putinit në Gjermani

Atij i dhemb kur lexon deklarata të zyrtarëve gjermanë që kuptojnë gjithçka bën Putini.

“Më dhemb veçanërisht kur shoh se si ata në Gjermani që tregojnë mirëkuptim për Putinin, kanë marrë kontrollin e shumë çështjeve të rëndësishme politike”, u shpreh Klitschko.

“Bild” shpjegon se si komandanti i marinës gjermane dhe zëvendës-admirali Kay Achim Schönbach, u detyrua të jepte dorëheqje të dielën pas fjalimit të tij në Indi “për shkak të lutjeve për Putinin”.

Ai tha se frika e Perëndimit nga hyrja e trupave ruse në Ukrainë ishte “marrëzi” dhe se ajo që Putini do me të vërtetë është “respekti dhe trajtimi i barabartë”.

“Nuk është e vështirë t’ia japësh Putinit respektin që ai pret dhe që ndoshta e meriton”, tha Schönbach, ndërsa fjalimi i tij shpejt u ngarkua në internet. Schönbach më pas kërkoi falje dhe tha se ishte një gabim i madh, por ai nuk mundi të shmangte dorëheqjen.

Klitschko, që është kryebashkiak i Kievit që nga viti 2014, theksoi se Ukraina vetëm dëshiron të jetë një vend i pavarur dhe demokratik, asgjë më shumë.

Ai shtoi se Gjermania duhet të kuptojë se situata është shumë serioze.

“Tani dëgjoj disa politikanë që thonë se Putini nuk do të sulmojë Ukrainën dhe se është vetëm një kërcënim dhe një lojë politike. Kjo më kujton diskutimin që i parapriu pushtimit të Krimesë më 2014. Edhe atëherë, të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë e konsideruan një hap të tillë të pamundur”, tha ish-kampioni i peshës së rëndë në boks.

“Është e pakuptueshme që Gjermania mund t’i rezistojë vendimit të NATO-s për t’i ofruar ndihmë Ukrainës, veçanërisht pasi Ukraina është në zemër të Evropës dhe e rrethuar nga anëtarët e BE-së”, shtoi 50-vjeçari.

SHBA-ja e Britania tërheqin familjet e diplomatëve nga Kievi, BE-ja jo

Ndërkohë, SHBA-ja ka vendosur të tërheqë familjet e diplomatëve amerikanë nga Kievi për shkak të tensioneve në rritje. Departamenti i Shtetit ka lëshuar një urdhër që u kërkon atyre të largohen nga Ukraina. Nga ky vend mund të largohen edhe bashkëpunëtorët e ambasadës amerikane që nuk janë në pozita kyç.

Shtetasit e tjerë amerikanë që jetojnë në Ukrainë duhet “ta marrin në konsideratë largimin nga vendi menjëherë”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.

“Ne besojmë se pushtimi rus i Ukrainës mund të ndodhë në çdo moment”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë amerikan.

Në të njëjtën kohë, qytetarët amerikanë këshillohen të mos udhëtojnë në Rusi. Mund të ketë ngacmime nga policia, duke përfshirë “zbatimin arbitrar të ligjit”.

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur gjithashtu të tërheqë një numër punonjësish nga Ambasada e saj, si dhe anëtarët e familjeve të tyre nga Kievi, në përgjigje të kërcënimit në rritje nga Rusia, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme në Londër.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian aktualisht nuk sheh arsye për të kërkuar tërheqjen e stafit nga ambasadat në Kiev.

“Ne nuk duhet të dramatizojmë”, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, në margjinat e një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.