Koliqi, Deva, Camaj, Kruja, mbetën të mëdhenj pavarësisht që u hedhin stërkala

Nga Gani Mehmetaj

Kur e postova një shkrim për meritat e jashtëzakonshme të Ernest Koliqit, shqiptarët e Dardanisë deri në një reaguan me dashamirësi. Mirëpo, shqiptarët përtej Drinit nxorën nga sirtarët e pluhurosura të njëjtat akuza që i bënte dikur Sigurirmi Shqiptar dhe UDB-ja jugosllave. Është vështirë të polemizosh me një sistem propagandistik komunist që është ngulitur thellë në trurin e shqiptarit përtej Drinit (Shqipëria londineze).

Është e pamundur t’u tregosh se disa burra të mëdhenj si Ernest Koliqi, Martin Camaj, Mustafa Kruja, Xhafer Deva etj. bënë aq të mira për kombin sa bënë të këqija Enver Hoxha, Ramiz Alia etj. Pesëdhjetë vjet shqiptarët e Shqipërisë londineze janë helmuar nga propaganda serbe (jugosllave), nga miladincat e mugoshcat, nga Velimir Stojniçat etj., kështu që kam, frikë se do të kalojnë edhe pesëdhjetë vjet të tjera dhe truri i tyre do të helmohet nga propaganda antishqiptare. Serbi qëndron këmbëkryq në trurin e shqiptarit përtej Drinit.

Për madhështinë e Ernest Koliqit, Martin Camajt, Mustafa Krujës, nuk dua të bëjë përpjekje t’ua ndryshoj mendjen, sepse ideologjinë kurrë s’mund t’ia ndryshosh dikujt, ndërsa komunizmi ishte si murtaja, nuk shërohet, vdes dhe e merr me vete virusin.

Nuk dua t’ua ndryshoj mendjen as për Xhafer Devën, një burrë i madh i një kombi të vogël, që fatkeqësisht ra në grackën e terroristëve komunistë serbo-shqiptarë në Tiranë , kur terrorit të tyre iu përgjigj me terror. I gjithë tërbimi enverist bie mbi Xhafer Devën, sepse e urrenin për vdekje serbët. Në Dardani Devën e vlerësojnë burrë të zotin që i mbrojti kufijtë e Shqipërisë etnike, ndërsa komunistët serbo-shqiptarë i shprishën me gjak e me gjenocid, komunistët i rrudhën tokat shqiptare në 29 mijë kilometra katrore.

Lexo raportet e Shërbimit Inteligjent Amerikan se çfarë mendimi brilant kishte për Xhafër Devën. Për te shkruanin amerikanët, kishte inteligjencë të jashtëzakonshme, ndërsa unë them se kishte kokë e njihte gjuhë të huaja sa i tërë Komiteti Qendror i PPSH-së me komitetet e rretheve.