Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka deklaruar se rrjedhja e të dhënave të ndjeshme mund të ketë pasoja të rënda për jetën private të qytetarëve.
“Zyra e Komisionerit vlerëson se kjo ngjarje mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën private, profesionale dhe familjare të qytetarëve dhe përbën një shkelje shumë të rëndë të lirive dhe të drejtave themelore të tyre të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë”, shkruhet në letrën e institucionit.
Ky i fundit i është drejtuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) në lidhje me publikimin ose shpërndarjen në mënyrë të paligjshme të dhënave personale (databaza) të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe atë privat.
Më tej, zyra e Komisionerit thekson se publikimi apo shpërndarja e këtyre të dhënave, “përbën një burim të hapur dhe të paligjshëm informacioni”.
Brenda këtij kuadri, cilëson njoftimi, çdokush, brenda dhe jashtë vendit, ka mundësinë e aksesimit të këtyre të dhënave “në kundërshtim të plotë me parimet dhe kriteret ligjore të përpunimit të përcaktuara në ligjin nr. 9887 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar”.
Zyra e Komisionerit ka kërkuar nga qytetarët dhe mediat bashkëpunim efektiv dhe ndërhyrje të shpejtë institucionale për ndalimin e përhapjes së mëtejshme të të dhënave personale online ose nëpërmjet mediave.
Ndërtimi i ngjarjes
Të mërkurën e 22 dhjetorit u publikuan pagat për muajin janar 2021.
Sot, të enjten e 23 dhjetorit, pikërisht ndërkohë kur kryeministri Edi Rama po jepte shpjegime mbi rrjedhjen e të dhënave, është publikuar lista e pagave të muajit prill 2021, për të gjithë punonjësit e sektorit publik dhe privat.
Redaksia e Albanian Post ka arritur të sigurojë listën e përditësuar të muajit prill, ku duken qartësisht ndryshimet.
Për arsye etiket, ashtu si për të dhënat e janarit, Albanian Post nuk do të publikojë asnjë të dhenë.
Por, pavarësisht faljes publike nga kreu i Qeverisë, duke se çështja vijon të rëndohet, ku rrjedhja e të dhënave bëhet edhe më e madhe dhe indiciet parakrake, sugjestionojnë se edhe pagat e muajve të tjerë mund të jenë në qarkullim.
Ky dokument i dytë, përmban më shumë të dhëna, me 694 mijë e 473 persona pjesë e listës.
Ndërsa i pari ka qarkulluar në rrjetin Whatsapp si dokument, i dyti ka qarkulluar nëpërmjet një linku në rrjetin e shpërndarjes WeTransfer.
Një detaj tjetër i listës, është fakti se këtë herë, të publikuar, janë edhe numrat e telefonave të qytetarëve. Ata janë të vendosur në një faqe më vete, së bashku me datëlindjet dhe vendlindjen e tyre.