Diskutimi midis presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ktheu samitin e “Brdo-Brijumit” në një “tavernë ballkanike”, tha për Radio Sarajevën, anëtari kroat i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinë, Zheljko Komshiq.
“Në vend që të paraqitemi para Brukselit në mënyrë që të gjitha vendet në rajon të kenë një pozicion të vetëm që i gjithë rajoni duhet të tërhiqet drejt Bashkimit Evropian, ne disi jemi kthyer në historinë e Ballkanit, për të mos përmendur tavernën ballkanike, kemi trajtuar tema tjera”, tha ai.
Sipas tij, e gjithë historia në lidhje me procesin e “Brdo-Brijunit”, e cila ka zgjatur për dhjetë vjet, është konceptuar ndryshe nga sa doli në takimin e sotëm.
“Sot, ne u gjetëm në çështjet e Ballkanit për shkak të diskutimit, i cili në disa raste nuk ishte shumë i këndshëm, midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Komshiq.
Ai vlerësoi se i gjithë diskutimi shkoi në drejtim të gabuar – për të paraqitur pikëpamjet dhe pozicionet politike të presidentes së Kosovës dhe presidentit të Serbisë, të cilat të gjithë i dinë.
Komshiq pretendon se pjesëmarrësit në takim “ranë dakord mbi tekstin e deklaratës, me Kosovën që mbetet të deklarojë disa gjëra me të cilat nuk pajtohet.
“Kosova, për shembull, kërkoi që kur bëhet fjalë për tekstin e deklaratës, nuk ka të bëjë me liberalizimin e vizave për Prishtinën, por për Kosovën, për të cilën Serbia nuk ishte dakord”, tha Komshiq.
Ai shprehu keqardhje që takimi përfundoi në atë mënyrë.
“Shpresoj që pavarësisht nga një fund i tillë, nuk do të ketë pasoja negative në Bruksel kur bëhet fjalë për pretendimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me BE-në”, përfundoi Komshiq.