Konfirmohet: Sami Lushtaku do të jetë kandidat i PDK’së për kryetar të Skenderajt

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK’së), Enver Hoxhaj, ka konfirmuar se Sami Lushtaku do të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të Komunës së Skenderajt.

Enver Hoxhaj në Klan Kosova, e ka konfirmuar se Sami Lushtaku do të garojë për të parin e Skenderajt.

“Është qëndrim i degës së PDK që Lushtaku të jetë kandidat për kryetar komune dhe kjo çështje është direkte e kandidatit që e propozon dega nëse e pranon ose jo. Lushtaku do të jetë në garë për të qenë Kryetar i Skënderajt”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka bërë thirrje ndaj qytetarëve të Skënderajt dhe Drernasit që të mos përçahen.

“Apeli im është qëndroni të bashkuar, mbështeteni PDK’në. Ftoj drenicakët që të mos bien pre e përpjekjeve të ndryshme që dikush t’i përçajë”.

Hoxhaj ka theksuar se Sami Lushtaku dhe Ramiz Lladrovci nuk i kanë raportet aq keq sa thuhet sipas tij

“Lladrovci dhe Lushtaku i kanë punët e ndara, njëri në Drenas dhe tjetri në Skënderaj. Me ta kam qenë në një odë në Abri nuk është e vërtetë [ajo që thuhet]”, ka bërë të ditur ai.