Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë të pamundshme të qeverisë pa formuar një koalicion. Ai ka thënë se VV-ja nuk ka arritur qëllimin që të qeverisë e vetme dhe se tash i duhet të modifikojë rrugën për të arritur pushtetin.
“Vetëvendosja e ka pas pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi im ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare e pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve edhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pas një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm”, ka thënë ai pas mbledhjes me subjektet politike. “Kemi thënë qëllimi është ta bëjmë të vetëm qeverinë. A është e mundshme kjo? Mua nuk po më duket e mundshme”.
Tek ka folur për letrën dërguar Lidhjes Demokratike të Kosovës për konsulta para konstituimit të Kuvendit dhe për procesin e formimit të qeverisë, Konjufca ka thënë se do të përdoret “gjuhë e bashkëpunimit dhe partneritetit”.
“… në fund të fundit, të gjithë zgjohemi një mëngjes dhe shohim cili është rezultati i zgjedhjeve dhe e kuptojmë që politika nuk ndërtohet mbi urrejtjen dhe dashurinë. Politika është me i kuptu interesat, por interesat që i përfaqësojmë s’janë tonat, por të Republikës së Kosovës. Këtu është vetëm bashkëpunimi. Është përpjekja për ta çuar Kosovën përpara së bashku, sepse veç e veç nuk kemi mundësi. Demokracia dhe politika e kërkon pikërisht këtë. Që duke u bërë bashkë të lidhen forcat dhe të vijë te një doktrinë e përbashkët e përfaqësimit të interesave tona shtetërore”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se shprehjet e rënda janë dëgjuar edhe nga opozita gjatë fushatës. “Por mua s’më ka mbetur hatri prej atyre shprehjeve dhe ua zgjati dorën e bashkëpunimit secilit me të cilin pajtohemi se mund të bëjmë diçka bashkë”, ka shtuar Konjufca.
Konjufca ka thënë se “është privilegjuese” për Lidhjen Demokratike të Kosovës “që është zgjedhur e para nga kryetari i VV-së, Albin Kurti, për të diskutuar”.
Konjufca po ashtu ka thënë se qeveria e ardhshme duhet të krijohet në dy skenarë. “Ose skenar i qeverisë së shkurtër që qeveris deri në zgjedhjen e presidentit, ose një që është e aftë ta zgjedhë edhe presidentin. Janë dy skenarë. Cilin e përqafon VV-ja? Nuk mund t’ua them sepse s’jam si nënkryetar i VV-së, por si kryetar i Kuvendit”, ka thënë ai.
“LVV-ja është deri në atë pikë, por jo edhe në atë pikë”, ka thënë Konjufca kur është pyetur se a është e gatshme VV-ja të negociojë me LDK-në për postin e kryeministrit.
Javën e kaluar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka takuar përfaqësues të komuniteteve, me përjashtim të Listës Serbe, të cilët kanë zënë ulëse në Kuvend.
Derisa nga një pjesë e tyre ka marrë konfirmimin për mbështetjen, disa prej deputetëve kanë lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me të e për të kanë pasur edhe kërkesa.
Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Në mënyrë që Kuvendi të konstituohet, kandidatin e saj për kryeparlamentar duhet ta mbështesin së paku 61 deputetë, aq sa nevojiten edhe për formimin e Qeverisë.