Konsiderohet i papërballueshëm shtrenjtimi i energjisë elektrike

Bexhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka thënë se shtrenjtimi i energjisë elektrike është i papërballueshëm për qytetarët e Kosovës, pas vendimit të djeshëm të ZRRE-së për rritjen e tarifave.

Sipas Shalës, kjo rritje ende nuk është sqaruar plotësisht nga akterët e përfshirë. Shala e sheh edhe pagën minimale në Kosovës si problem për këtë rritje.

“Ne kemi reagu disa herë, kemi paralajmëruar për shtrenjtim të energjisë elektrike pasi ishte trend global. Ne kemi kërkuar të ketë rritje sa është e përballueshme, që ajo rritje të shpërndahet te të gjitha kategoritë të shfrytëzuesve të energjisë elektrike dhe të ndërpritet pagesat për komunat në veri. Por kjo rritje është e prapanueshme dhe jo normale, rritje më shumë se 100 për qind. Ende nuk jemi të saktë sa është rritja reale. Është një tollovi e sqarimit, si nga ZRRE-ja, si nga ata që merren me këtë çështje. Realisht, askush nuk e di sa do të ketë rritje deri të vjen fatura. Të gjitha vendet e rajonit e kanë pagën minimale më të lartë te ne, prandaj ky shtrenjtim nuk është i drejtë. Është krijuar hendek i madh. Rrogat nuk lëvizin, janë rritur çmimet e rrymës e karburantit”, ka thënë Shala në emisionin “SOT” të KTV-së.

Sa i përket subvencionimit të Qeverisë, Shala thotë se edhe ato pare janë të taksapaguesve të Kosovës dhe sipas tij, kjo i bie që qytetarët po paguajnë dy herë rrymën.

ZRRE-ja miratoi vendosjen e bllokut tarifor në 800 kWh, e jo në 600 sa kishte propozuar më herët.