Gjykata e New York City-t ka refuzuar një kërkesë të bosit famëkeq të karteleve të drogës, Joaquin “El Chapo” Guzman, për të rishikuar vendimin e vitit 2019 që e dënoi atë me burgim të përjetshëm.
El Chapo, tashmë në moshën 66-vjeçare, për dekada drejtoi kartelin famëkeq Sinaloa dhe fajësohet për mijëra vrasje në Meksikë. Ai u arratis dy herë nga burgjet meksikane, ndërsa në janar të vitit 2019 u arrestua dhe u ekstradua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai paraqiti një kërkesë për rishikim të dënimit të tij, por gjykatësi Brian Cogan, i cili kryesoi gjyqin e tij në Bruklin, e rrëzoi kërkesën.
Në argumentet e rrëzimit të kërkesës thuhet se Guzman, edhe pse prej 7 vitesh në burg, ka ende nën kontroll asete me vlerë miliarda dollarë, edhe pse ato nuk janë në emrin e tij.
Në janar të këtij viti, Guzman iu lut presidentit meksikan, Andrés Manuel López Obrador, që ta rikthente në atdhe, pasi po trajtohej në kushte mizore dhe të padrejta në burgun amerikan.
Ai u dënua në shkurt 2019 për trafikim të lëndëve narkotike dhe në burgun “Florence Max”, ai qëndron në qeli për 23 orë në ditë dhe vetëm për 1 orë mund të dalë në ambient të hapur.