Konvojet e FSK-së do të lëvizin për rreth dy javë nëpër Kosovë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur të premten se do të ketë lëvizje të trupave dhe makinerisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në konvoje ushtarake nga të gjitha kazermat e saj, në drejtim të komunës së Gjakovës.

Sipas njoftimit, kjo do të bëhet me qëllim të realizimit të stërvitjeve në Babaj Bokës të komunës së Gjakovës.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët e vendit se gjatë periudhës kohore 18-29 nëntor 2022, do të ketë lëvizje të trupave dhe makinerisë së FSK-së në konvoje ushtarake nga të gjitha kazermat e saj, në drejtim të Zonës së Stërvitjes në Babaj Bokës të Komunës së Gjakovës. Lëvizja e trupave të FSK-së do jetë në funksion të realizimit të Stërvitjes Fushore “Ujku i Nëntorit”, sipas planit vjetor stërvitor, me qëllim të testimit në proces të validimit të aftësive dhe kapaciteteve të njësive të FSK-së, në detyrat e tyre në bazë të misionit”, thuhet në njoftim.