BOTA

Koreja e Veriut shfaq dronët e rinj mes raportimeve se ka dërguar më shumë trupa në Rusi

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka shfaqur dronët e rinj ushtarakë, mes raportimeve se ai ka dërguar edhe 3.000 trupa shtesë për të ndihmuar Rusinë në luftën e saj në Ukrainë.

Pheniani më 27 mars publikoi imazhe që shfaqnin Kimin duke inspektuar testimet e dronëve vëzhgues dhe sulmues në një vendndodhje të panjohur. Ka shqetësime ndërkombëtare se Rusia po i ofron Koresë së Veriut teknologji për dronë në këmbim të ndihmës së konsiderueshme ushtarake.

Po të njëjtën ditë që Kimi inspektoi dronët e rinj, agjencia e lajmeve koreanojugore Yonhap, citoi Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë së Seulit të ketë thënë se “duket se afër 3.000 [trupa shtesë të Koresë së Veriut] janë dislokuar [në Rusi] në janar dhe shkurt”.

Raportimet për dislokime të reja vijnë pasi më herët një kontingjent prej 11.000 ushtarësh të Phenianit u dërguan dhe trupat janë parë në fushëbetejën në rajonin Kursk të Rusisë.

“Mund të themi se Rusia veçse është bërë e varur nga Koreja e Veriut në shumë mënyra, jo vetëm për predha, por edhe për armë të tjera… si dhe në aspektin e ushtarëve”, tha për Current Time të Radios Evropa e Lirë analisti ukrainas, Oleh Saakyan.

Dislokimi i trupave shtesë fillimisht u raportua në fund të shkurtit, por nuk kishte detaje për numrin e ushtarëve.

Zhvillimet e reja vijnë në kohën kur zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrei Rudenko, i tha medias shtetërore se po bëhen plane që Kim ta vizitojë Moskën më vonë gjatë këtij viti.

Kim më herët kishte vizituar Moskën, duke udhëtuar me trenin e tij të blinduar më 2019 dhe 2023, kur u takua me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai po ashtu ka qëndruar disa herë në Kinë dhe po ashtu ka mbajtur samite me presidentin amerikan, Donald Trump, më 2018 dhe 2019.

Ka pasur një përmirësim substancial të raporteve mes Moskës dhe Phenianit që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022.

Përveç se ka dërguar trupa, Koreja e Veriut po ashtu ka dërguar raketa me rreze të mesme veprimi, obusë dhe raketahedhës, sipas ushtrisë të Koresë së Jugut.

“Në realitet, gjendja e ekonomisë ruse dhe kërkesat e Rusisë për mobilizim po bëhen gjithnjë e më të vështira që të përmbushen, sikurse edhe në Ukrainë”, tha Saakyan, bashkëthemelues i Platformës Kombëtare të Ukrainës për Qëndrueshmëri dhe Kohezion, një grup jofitimprurës.

“Ne veçse mund të shohim gjithnjë e më shumë armë nga Koreja e Veriut që po shfaqen në frontin e luftës”.

Shtabi i Përgjithshëm i Seulit tha se zhvillimet e reja po ashtu përfshijnë pajisje shtesë dhe municion.

Ky zhvillim vjen në kohën kur Rusia po kërkon që shtetet perëndimore të ndalojnë ndihmat ushtarake për Ukrainën, si kusht për një marrëveshje për armëpushim të pjesshëm.

Muajin e kaluar, Kim tha se forcat e tij do të vazhdojnë të mbështesin Rusinë si pjesë e një “partneriteti gjithëpërfshirës strategjik”.

Dislokimi i ushtarëve në Rusi nisi vjeshtën e kaluar. Fillimisht, nuk shkoi mirë, pasi kishte raportime për viktima të shumta teksa ushtarët koreanoveriorë e kishin të vështirë të përballeshin me sulmet ukrainase me dronë.

Në fund të janarit, një zyrtar i inteligjencës ushtarake ukrainase i tha Current Time se trupat e Koresë së Veriut ishin larguar nga vija e frontit “për shkak të humbjeve të mëdha”.

Komanda për operacione të posaçme e Ukrainës i tha Radios Evropa e Lirë se trupat koreanoveriore “u detyruan që të tërhiqeshin”.

Por, së voni performanca e tyre duket se është përmirësuar. Forcat e Koresë së Veriut thuhet se kanë pasur rol në dëbimin e forcave ukrainase në betejat e fundit në rajonin e Kurskut.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • FOTO&VIDEO

Osmani pretendon: Kurti s’e do presidenten që merret me politikë të jashtme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi senjë nga arsyet pse Kryeministri Albin Kurti ndryshoi qëndrim…

5 orë ago
  • KRYESORE

Osmani: I kisha votat për presidente, por Kurti nuk më kandidoi

Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se ishte e bindur se do të siguronte votat e…

6 orë ago
  • KRYESORE

Trump: Lufta mund të përfundojë shpejt, SHBA-të po shqyrtojnë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi në një intervistë telefonike për CBS News…

6 orë ago
  • BOTA

‘Gjuetia’ që s’ka të ndalur! Si po i eliminon Izraeli një e nga një gjeneralët e Iranit dhe Hezbollahut

Abolghasem Babeian u vra të shtunën në Teheran. Pothuajse në të njëjtën kohë u vranë…

10 orë ago
  • KRYESORE

Kushtetuesja vendos masë të përkohshme në lidhje me dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani,…

10 orë ago
  • KRYESORE

“Po i hedhin benzinë zjarrit”, Erdogan paralajmëron Iranin

Presidenti i Recep Tayyip Erdogan ka reaguar për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme,…

11 orë ago