Korrespodentja nga Brukseli: Franca nuk dha kusht të ri për vizat

Edhe një tjetër gazetare po pretendon se raportimet për kushtin e Francës që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri, ETIAS, nuk janë të vërteta.

Përmes një lidhjeje direkte nga Brukseli, gazetarja Eriza Zykaj ka thënë se ky lajm nuk është i vërtetë, ngase, sipas saj, Franca është pro liberalizimit, bashkë me të gjitha shtetet anëtare të BE’së.

“Burimet e fundit më kanë shpjeguar nga diplomatë dhe zyrtarë të BE’së që, në fakt, përgënjeshtrohet lajmi që Franca kondicionon liberalizimin e vizave për kosovarët. Këto burime pohojnë se në parim Franca është pro me të gjitha shtetet anëtare të BE’së dhe sot nuk ka pasur asnjë shtet kundër në parim për liberalizimin e vizave për Kosovën”, tha ajo në T7.

Tutje, Zykaj tregoi pse tani u kërkua integrimi në sistemin ETIAS për Kosovën.

“Ata kanë theksuar se Franca nuk është kundër, është pro, por duke qenë se sistemi ETIAS hyn në fuqi në vitin 2023 atëherë për Kosovën dhe shtetet e tjera do të kërkohet aplikimi, integrimi i Etias në procesin e liberalizimit të vizave. Sipas burimeve, kjo nuk ka të bëjë vetëm për Kosovën, sepse kjo sipas tyre është zbatuar edhe për Katarin e Kuëaitin”, tha ajo.

Zykaj po ashtu tha se në dhjetor mund të arrihet një vendim final për vizat.

“Duke ju besuar këtyre burimeve, duket se vërtet mbetet një cështje e diskutimit të mëtutjeshëm, por jo me pabesim siç po mund të artikulohet nëpër media. Jo aspak, vërtet që është drejtimi pozitiv, do të duhet që Qeveria e Kosovës t’i konsiderojë ato… Në dhjetor mund të shkohet me vendimin final”, tha ajo.

Ndërkaq, ishte gazetarja Xheraqina Tuhina e cila e para pretendoi se raportimet për kushtëzim të liberalizimit të vizave nga Franca, nuk qëndrojnë, shkruan Reporteri.net.

“Asnjë shtet nuk ka kundërshtuar liberalizimin e vizave. Franca nuk ka kushtëzuar liberalizimin e vizave. Të paktën jo sot. Ajo ka shprehur disa kërkesa, por nëse do të insistojë në disa kërkesa, atëherë mund edhe të stagnojë procedura… Atmosfera ishte shumë pozitive”, u shpreh gazetarja nga Brukseli.

Megjithatë, pretendimet e Tuhinës dhe Zykajt i ka hedhur poshtë zëvendëskryeministri i parë për integrime evropiane, Besnik Bislimi.

Ai e ka pranuar se Franca e ka kushtëzuar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Bislimi ka thënë se lidhja me ETIAS është kriter i ri, derisa e ka quajtur situatë të papranueshme.

“Nga këndvështrimi jonë, edhe lidhja me ETIAS përbën një kusht të ri, një kriter. Prandaj mendojmë që kjo është e papranueshme. Edhe kërkesa që të harmonizohet sistemi i vizave, është një lloj kriteri. Çdo ndryshim, çdo kërkesë e re që shkon përtej 95 kritereve që Kosova i ka përmbushur, përbën kriter të ri edhe ky mendoj që ky është qëndrim edhe i shumë vendeve anëtarë të BE’së dhe mbase edhe vetë përfaqësuesit të Komisionit Evropian”, ka deklaruar Bislimi në ATV.

Ndryshe, në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

REL raportoi se propozimi është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

Presidenca çeke ka thënë përmes një deklarate se në mënyrë që të ecet përpara në këtë temë, “është e domosdoshme që të qartësohen disa çështje, dhe të vazhdohet me diskutimet”.

Takimi i radhës i këtij grupi pritet të jetë në nëntor të këtij viti.