India, sipas të dhënave nga Dogana, rezulton të jetë importuesja më e madhe e naftës në Kosovë gjatë këtij viti. Ndaj këtij shteti, Bashkimi Evropian pati paralajmëruar masa, shkaku që është blerësi më i madh i naftës ruse, në kohën e pushtimit të Ukrainës. Në Shoqatën e Naftëtarëve thanë se furnizimi realizohet nëpërmjet një kompanie në Shqipëria. E në këtë kompani pranuan se kohëve të fundit nafta e ka pasur burimin kryesisht nga India.
Bazuar në të dhënat e siguruara nga Dogana, nga janari e deri më 16 gusht, nga ky shtet në Kosovë janë importuar afro 200 milionë litra naftë apo afro gjysma e sasisë së përgjithshme.
E ndaj Indisë, Bashkimi Evropian (BE) pati paralajmëruar të vendoste masave, shkaku që ishte blerësja kryesore e naftës ruse pas pushtimit të Ukrainës, e që më pas e eksporton lëndën në vende evropiane.
Fadil Berjani, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, thotë se Kosova furnizimet i siguron nga kompanitë në Shqipëri dhe se nuk posedon informata që nafta e ka burimin nga India.
“Kosova furnizohet nga kompani nga Shqipëria dhe se nuk kam këto statistika nga cili vend furnizohen ato. Por, 70 për qind e naftës që e marrim në Kosovë vjen nga kompania ‘Gega Oil’”, i ka thënë KOHËS Berjani.
E nga “Gega Oil” pranuan për KOHËN se kohëve të fundit nafta vjen nga India, pasi furnitori i saj ka kontratë vjetore me “Reliance Industries”, kompani më e madhe indiane e furnizimit.
“Kompania që na furnizon me derivate quhet OMV Supply&Trending, një kompani me kapital austriak, e cila ka trendig desk në Londër dhe ne punojmë direkt me zyrën e Londrës. Kjo kompani ka lidhje me të gjitha rafineritë në rajonin e Mesdheut, por edhe më tej. Konkretisht nafta kohëve të fundit vjen nga India, pasi furnitori ynë ka kontrata vjetore me Reliance Industri, kompania më e madhe indiane e furnizimit. Mirëpo, sikurse thashë nafta blihet dhe në Mesdhe si për shembull Itali, Greqi, Maltë dhe Rumani. Por, kohët e fundit kryesisht nga India”, ka thënë Gega.
I pyetur rreth paralajmërimeve të BE-së për masa, pronari, Genc Gega, thotë se nafta vjen me certifikatë të rregullt të origjinës indiane.
“Nafta na vjen me certifikatë të rregullt origjine indiane dhe për Shqipërinë nuk ka problem se ku mund të furnizohet India, për sa kohë që vendi i origjinës nuk është nën sanksione apo embargo”, ka theksuar ai.
Sipas të dhënave nga Dogana, pjesa tjetër e naftës importohet nga Greqia, Turqia, Maqedonia e Veriut, Italia dhe Arabia Saudite.
Çmimi për një litër naftë të importuar është mesatarisht 65 centë, së cilës më pas i shtohen edhe 18 për qind e vlerës së çmimit si tatim në vlerën e shtuar dhe 36 centë të akcizës, për ta rritur vlerën në 1 euro e 12 centë.
Këtij çmimi, më pas i shtohet edhe kostoja e transportit dhe ajo e shpenzimeve të tjera, që llogaritet të jetë 20 centë.
Por, aktualisht një litër naftë në treg sillet rreth 1 euro e 50 centë.
Çmimi i derivateve nuk është ulur, ndonëse javë më parë Ministria e Tregtisë ka marrë vendim për caktim të marzhës tregtare. Që nga hyrja e masës në fuqi, çmimi për derivatet e naftës është rritur për rreth 10 centë për litër.