Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se në emër të Ministrisë dhe FSK-së ka ofruar mbështetje te institucionet gjermane me të gjitha aftësitë dhe kapacitet operacionale në disponim për menaxhimin, tejkalimin dhe sanimin e gjendjes së krijuar nga përmbytjet e sotme atje.
Mehaj tregoi se menjëherë pas pasojave të përmbytjes ai ka telefonuar ambasadorin gjerman në Kosovë, John Rohde.
‘’Pas lajmit të dhimbshëm për pasojat e përmbytjeve në Gjermani, menjëherë kam telefonuar ambasadorin gjerman në Kosovë, Rohde, të cilit i shpreha ngushëllimet në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe vullnetin tonë të plotë për të mbështetur institucionet gjermane me aftësitë dhe kapacitetet tona operacionale në disponim për menaxhimin, tejkalimin dhe sanimin e gjendjes së krijuar nga përmbytjet e sotme. Vullnetin tonë të plotë për dislokim të njësive tona të specializuara me personel dhe pajisje adekuate në zonat e përmbytura në Gjermani e kam adresuar edhe përmes Letrës zyrtare’’, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Përmbytjet në Gjermaninë Perëndimore kanë shkaktuar mbi 50 të vdekur e dhjetëra të zhdukur deri tani.