Sllovenia e Serbia kanë hyrë në një zënkë diplomatike.
E gjitha nisi të shtunën kur presidenti slloven, Borut Pahor, shkoi në Beograd për takim me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, të cilit i dorëzoi ftesën për samitin e liderëve në Procesin Brdo-Brijuni më 12 shtator.
Takimi Vuçiq-Pahor, shkoi mirë deri në momentin kur nikoqiri foli për mos sanksionimin e Moskës , e njohjen e pavarësisë së Kosovës, nga Lubjana zyrtare.
“Qysh unë të ja sqaroj popullit tonë se ne do të vendosnim sanksione ndaj Rusisë, e jo ndaj Sllovenisë. Rusia se ka shkelur integritetin territorial të Serbisë, kurse Sllovenia, po. Pra ne s’kemi sanksione ndaj shtetit slloven dhe po mundohemi t’i mbajmë raportet miqësore”,tha Vuçiq.
Për këtë deklaratë të presidentit serb, reagoi Ministria e Punëve të Jashtme në Lubjanë.
Ambasadorja e Serbisë aty, Zorana Vlatkoviq, u thirr në një bisedë përderisa dikasteri që udhëhiqet nga Tanja Fajon, doli me një reagim të ashpër.
“Ne informuam palën serbe se jemi shumë të befasuar nga deklaratat e presidentit Vuçiq. Edhe një herë përcollëm qëndrimin tonë për Kosovën, të cilën Sllovenia e njohu si shtet të pavarur” vazhdon MPJ sllovene.
“ Në këtë drejtim, ne shprehëm pritjen që Serbia të mos e problematizojë qëndrimin tonë në lidhje me Kosovën në të ardhmen, sepse mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Ne gjithashtu shprehëm kundërshtimin tonë të fortë për barazimin e njohjes sllovene të Kosovës me agresionin rus kundër Ukrainës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë.